Do të ketë një marrëveshje të dytë Rama-Basha pas asaj së 17 Majit 2017? Për ish-kryeministrin Sali Berisha, ky është një skenar që s’ka shanse të ndodhë.
S’ka kurrë shans që të ndajnë pushtetin Partia Demokratike me Edi Ramën.
Partia Demokratike është e vendosur që të vijë me votën e lirë të qytetarëve në pushtet dhe është kjo është themeli i kësaj partie.
Por, nga ana tjetër, votë të lirë, kam deklaruar dhe deklaroj në mënyrë të përsëritur, s’ka pa përmbysjen paraprake të Edi Ramës”, u shpreh Berisha në një intervistë për “TV Klan”.
Lidhur me vetingun në politikë, Berisha shprehu bindjen se komisioni i Venecias do të shprehet ‘pro’.
“S’mund të ketë dy standarde, një për politikanët dhe një për gjykatësit, se ky do ta çonte drejt absurditetit tregon që do jetë i manipuluar, kjo s’mund të ndodhë”.
Përfaqësueses të PS-së kanë përdorur si argument se, s’ka nevojë për nismën e PD-së në një kohë kur do krijohet SPAK dhe BKH. Por, për ish-kryeministrin Berisha, këto institucione dhe vetingu në politikë janë ndihmuese të njera-tjetrës.
“Vetingu ndihmon SPAK-un, bën të mundur që të ketë një lëndë të përshtatshme hetimi për ata që janë mëkatarë dhe kërkojnë të hyjnë në politikë”.
Lidhur me deklaratën e Ramës, se audio-përgjimi me personazh ‘Babalen’, është një skenar i gënjeshtërt për të rrëzuar qeverinë, Berisha tha se këto janë “halucinacione”, ndërsa kreun e qeverisë e quajti “të sëmurë psikik”.
Berisha u shpreh edhe kundër nismës së Ramës për një paketë anti-shpifje.