Sali Berisha ka ndryshuar për herë të tretë version për ‘Olsin’ misterioz, i cili del zbuluar në përgjimet e SkyEcc, ku ndërhyn për të liruar nga burgu kunatin e Altin Hajrit, i dyshuar si autor i atentatit të ndodhur në lokalin Kështjella, ku u ekzekutua Alfred Dedja.
Berisha tha sot se Olsi i SkyEcc është ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja. Fillimisht, në 1 dhjetor 2024, Berisha tha se Olsi për të cilin flisnin Altin Hajri dhe Jurgis Çyrbja ishte Ols Dado, prokuror i SPAK.
SPAK doli me një deklaratë duke hedhur poshtë këtë pretendim. Në 2 dhjetor 2024, Berisha u tërhoq nga ky pretendim. “Unë kam bërë verifikimet pasi përgënjeshtroi SPAK dhe nuk është Ols Dado. Të paktën në këtë proces, nuk është ai. Por se cili është Olsi, atë e di Dumani, ai e fsheh“, tha Berisha.
Megjithatë, Berisha shtoi se ‘dy Olsa ka, Olsi Çela dhe Olsi Dado në Prokurori“. Disa javë më pas, Berisha iu rikthye kësaj çështje, duke aluduar se Olsi misterioz ishte Olsion Çela. Sot Berisha tha se nuk është as Ols Dado dhe as Olsian Çela. Berisha u shpreh i sigurt se është Ulsi Manja, edhe pse emri i tij nuk përkon me emrin e lakuar në SkyEcc.
“A e morët vesh ju kush është Olsi? Olsi është Uluziu… absolutisht. Olsi i Altin Hajrit, i dy kostumeve, merrja pak masën, ai e bëri punën mirë, prandaj merrja masën për dy kostume. Tani, burime 100 përqind të sigurta më informojnë se nuk bëhet fjalë as për Olsi Çelës, as për Olsi Dadon, por për Uluziun.
Kështu që komentet e mia për përgjimet e Erion Veliajt dhe mesazhet e tij tregojnë se kemi të bëjmë me një grup mafioz me pushtet që nuk kanë asnjë rregull, asnjë ligj, asnjë normë”, tha Berisha.