Akuzat e Sali Berishës për korrupsion në drejtim të ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka shkaktuar debat në Kuvend, ku është përfshirë edhe kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla.
Balla ka bërë edhe një herë thirrje në drejtim të SPAK dhe institucioneve të tjera se pse nuk hetohet Sali Berisha kur është shumë e qartë që ai ka bërë pastrim parash në Kompleksin Partizani. Balla gjithashtu ka thënë se familja e Berishës ka një televizion që financohet nga e njëjta kompani që ka ndërtuar kompleksin Partizani. Televizioni sipas Ballës bën evazion fiskal dhe aty bëhet pastrim parash.
Ministrja për Shtetin, Elisa Spiropali gjatë fjalës së saj në Kuvend, teksa po diskutohet për raportin e AMA-s, duke ju drejtuar Sali Berishës tha se koha kur digjeshin redaksitë ka mbaruar. Spiropali akuzoi Berishën, si dizinformues dhe tha se po përdorin paratë e krimit për të ndotur mjedisin mediatik.
‘Koha kur digjeshin zyrat e redaksive në Shqipëri ka mbaruar. Kryetarja e AMA-s, u soll nga ju si propozim për tu zgjedhur si kryetare. Ju keni bëma shumë më të rënda në raport me mediat. Është e habitshme sesi mund të flasë një njëri me këtë entuziazëm. Mund të gëzohet një njeri që i ka vënë shqelmin partisë së tij.
Zgjedhjet në parti i fitonte edhe Luli! Mirë që t’i na ke lënë Sali, por ato të tjerët që janë gjallë ç’punë kanë?! Ku ka sot në RSH kundërshtar më të mirë se ne. Kur jeni në pushtet, me kërbaç mbi median, e keni dëshmuar. Ju jeni prodhues të dezinformimit dhe ‘Fake News’. Po përdorni paratë krimit, për të ndotur këtë mjedis mediatik. Njerëzit e dinë shumë mirë, prandaj nuk ju japin votën. Frymëzuesi i kësaj kulture është ai që ngriti kupën dje. Nuk jeni gati që t’i afroheni asnjëlloj pushteti dhe ndjesë parë pushteti juaj.’- tha Spiropali.
Pas kësaj, Berisha e akuzoi Spiropalin, se nëpërmjet bashkëshortit të saj i ka dhënë tendera vëllait të saj.
‘Ndrikull Spiropali është titulli i një postimi, pas çdo fjale ka një vjedhje. Ndrikull 5 milionëshja me bashkëshortin e saj, Salarjonin, e cila ia jepte tenderat vëllait të saj që të shtoheshin milionat. Zonja që u pasurua aq shumë në Dogana saqë kudo ta prekësh para nxjerr, burrin e çoi nga ujësjellësi në tenderat e KESH. Edhe aty përsëri Salarjoni, pra në qoftë se ka një burrë dhe një grua që kanë lumturuar njeri-tjetrin me para publike janë Spiropali- Toto. Yt shoq i jep tenderin vëllait tënd. Nuk ka vjedhje më të madhe ditën për diell si kjo. Do të ta them edhe tenderin’, tha Berisha.
Por ministrja për Shtetin dhe Parlamentin, e cilësoi si ‘Fake News’, të cilin Berisha po e lexon në portalin e djalit të tij, Shkëlzen Berishës, i cili tha Spiropali, po financohet me paratë e të vdekurve në tragjedinë e Gërdecit.
‘Djali i tij financon portale që bëjnë këto lajme, me paratë e të vdekurve në Gërdec, Artikulli që lexon, dhe e financon vetë si fakt. Unë en joh kush është vëllai im, sa e ka rrogë, si e ka shtëpinë, i njoh. Njoh kunatën time, nuk jam nga ata që nuk njohin baxhanakët. Unë mbaj përgjegjësi për të gjitha këto. Nuk ma bën syu terr dhe nuk intimidohem e as nuk kam për tu intimiduar.’- tha Spiropali.
Çfarë është bërë me hetimet për 2 prej aferave më të mëdha korruptive të Sali Berishës kur ai qeveriste vendin? Kjo është pyetja që i është drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme për shitjen e OSSH te CEZ-DIA që i kushtoi vendit 415 milionë euro nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Në një tjetër letër ai kërkoi para pak kohësh llogari nga SPAK se ccfarë është bërë me hetimet pas padisë së tij në vitin 2020 për privatizimin e kompleksit Partizani nga Familja Berisha.
Kompleksi Partizani
Një dosje që është në prokurori dhe ende nuk është zbardhur është ajo e privatizimit të Klubit Partizani. Në këtë padi të bërë nga Balla akuzohen për shpërdorim detyre ish-kryeministri Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe ish-ministri Arben Imami. Balla tha dje se është caktuar prokurori, por nuk ka të dhëna mbi ecurinë e hetimeve dhe kërkoi nga SPAK që të nxitojë.
Klubi sportiv “Partizani” ishte kompleksi më i rëndësishëm sportiv në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes që qëndronte këtu, jo shumë larg nga qendra e Tiranës, ku sot mund të shihni këtë grup me 17 kulla në Rrugën “Frosina Plaku”, tek Ish Fusha e aviacionit, qendra më të madhe sportive në zemër të kryeqytetit, me përmasa 26.000 metra katrorë, qe në fund u pagua vetëm 14.000 euro.
Në atë tokë sot janë ndërtuar dhe po ndërtohen ende dhjetra kulla të kompleksit Magnet 1 dhe Magnet 2 që vlejnë 4.000 herë më shumë, nga të cilat Jamarber Malltezi, dhëndri i ”doktorit”, është bashkëpronar me mbi 40% të aksioneve. Një çështje e errët që prodhoi fitime prej dhjetëra miliona eurosh. Falë ligjit të transparencës, për herë të parë, e gjithë dosja për privatizimin e ” Kompleksit sportiv Partizani ” ka dalë nga arkivat e ministrive me kërkesë të gazetarëve investigativë të Report TV, të cilët e studiuan atë për muaj me radhë.