Në Ministrinë e Shëndetësisë dhe degët e saj ka një grup zyrtarësh që punojnë për të kopsitur letrat e tenderave korruptivë vetëm për të kaluar paratë publike në xhepat e tij.
Bëhet fjalë për ish berberin e Tepelenës, Mitro Todhe, një klient solid i ministrave të Shëndetësisë, kontrabandist i vjetër ilaçesh, matrapaz dhe i dyshuar si spiun i ish Sigurimit të Shtetit.
Todhe e ka nisur ‘karrierën’ si berber dhe spiun në Tepelenë, më tej si kamarier në Fier, në vijim si kontrabandist ilaçesh me çanta, ndërsa sot është kthyer në oligark i tenderave në shëndetësi, me një rekord prej 1600 tenderash me flamur korrupsioni, por duke mos harruar as zanatin e vjetër të letrave anonime.
I lakuar në media si ish berberi i Gramoz Ruçit, Mitro Todhe qëndron pas kompanisë farmaceotike Florfarma (K21405001N), të cilën e ka kaluar formalisht në emrin e fëmijëve Florjan dhe Arjola Todhe që në vitin 2010.
Kompania është themeluar në vitin 1999 nga ‘ujku i vjetër’ i barnave kontrabandë Mitro Todhe, me emrin Biomedic, emër të cilin e ka ndryshuar më vonë në Florfarma.
Kompania Florfarma nisi të rrisë xhiron vjetore kur iu fut tenderave pas ardhjes në pushtet të Rilindjes, duke arritur kulmin vitet e fundit, tregues ky i një skeme klienteliste dhe korrupsioni në shëndetësi, dega më e lakuar e qeverisjes për koncensione dhe tendera korruptivë, shpërdorime, skema mashtrimi etj.
Gjatë viteve të fundit, kompania klienteliste Florfarma ka marrë rreth 1600 tendera me vlerë miliona euro nga Ministria e Shëndetësisë dhe degët e saj. Tenderat janë shënjuar me flamur të kuq korrupsioni për shkak të mungesës së konkurrencës, paracaktimit të fituesit me pazar në tavolinë dhe ofertave fituese gati sa fondi limit. Vetëm gjatë 5 viteve të fundit, numërohen mbi 3 mijë transaksione të buxhetit të shtetit drejt llogarisë së kompanisë Florfarma, në zbatim të kontratave me natyrë korruptive për blerje ilaçesh dhe materialesh mjekësore.
Nga verifikimet rezulton se kompania e ish berberit spiun Mitro Todhe rreth 400 tendera i ka marrë nga Ministria e Shëndetësisë, kryesisht gjatë drejtimit të ‘klloçkës’ së korrupsionit me dosje në SPAK, Ogerta Manastirliu.
Kompania Florfarma rreth 60 tendera i ka marrë nga QSUT, 60 tendera nga Spitali i Traumës, mbi 90 tendera nga Spitali i Fierit, mbi 80 tendera nga Spitali i Elbasanit etj.
Teksa ish berberi mbyll pazaret e radhës për tenderat që do marrë kompania Florfarma, dy fëmijët e tij Arjola dhe Florjan Todhe ‘notojnë’ në luks me paratë publike.
Lufta ndaj mushkonjave
Vitin e kaluar, Ministria e Shëndetësisë i besoi kompanisë Florfarma luftë kundër mushkonjave në zonat bregdetare në Shkodër, Lezhë dhe Durrës.
Tre tenderat për luftën kundër mushkonjave janë zhvilluar nga Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara pranë Ministrisë së Brendshme, me në krye në atë kohë ‘bishtalecin e korrupsionit’ Endri Mullain, një personazh i lakuar për afera korruptive që nga Ministria e Bujqësisë. Mullain e shpëtoi Bledi Çuçi nga arrestimi. Pas largimit nga Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara, po investon paratë korrupsionit në bregdet.
Instituti i Shëndetit Publik, nën hetim nga SPAK për afera korruptive, dështoi të zhvillonte tenderat e mushkonjave, ndaj në lojë hyri Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara.
ISHP-ja ia jepte zakonisht tenderat e mushkonjave kompanisë NRG të Flutura Nuredinit dhe Marco Genicco, sipas KLSH-së, në mënyrë të paligjshme. Madje, NRG-ja nuk zbatonte as kontratat.
Mitro Todhe e nxori jashtë loje Fluturën, e cilat është lakuar si shoqe e Silva Binos, që doli shumë e nervozuar nga SPAK kohë më parë.
Tre nga katër tenderat e ndjekur nga Endri Mullai për mushkonjat i ka fituar kompania Florfarma e familjes Todhe, në vlerat mbi 300 mijë euro. Një tender e kanë fituar Armand Fida dhe Fatos Lashi.