Kryeministri Edi Rama ka reaguar duke kërkuar shpjegime për një reagim të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në lidhje me marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, që është cilësuar si “marrëveshja mes Beogradit dhe Prishtinës”.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Kryeministri shtron pyetjen nëse përdorimi i termave me emrat e kryeqyteteve, dhe jo të shteteve, është gabim serioz apo lapsus.
“Beogradi dhe Prishtina? Një gabim serioz apo lapsus? Emri zyrtar i saj është Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Do të ishte e papranueshme nëse Sekretari i Përgjithshëm nuk do ta përdorte qëllimisht emërtimin e duhur. Ju lutem jepni sqarime sa më parë”, shkruan Rama.
Në reagimin e OKB një ditë më parë për takimin në Ohër mes Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit serb Aleksandër Vuçiç, thuhet se: “Sekretari i Përgjithshëm mirëpret lajmërimin e BE për marrëveshjen nga palët në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Tani është e rëndësishme që të dyja palët të punojnë me shpejtësi dhe mirëbesim për të realizuar të gjitha detyrimet e përcaktuara në marrëveshje. Kombet e Bashkuara janë të përkushtuara për të mbështetur zbatimin e marrëveshjeve që rrjedhin nga dialogu Beograd-Prishtinë i ndërmjetësuar nga BE”