Nga Leonard Veizi
Belind Këlliçi, kandidati i njërës prej PD-ve për Kryetar Bashkie në kryeqytet kërkon medoemos vëmendjen e ndjekësve. Dhe kur një gjë kërkohet me çdo çmim, kalon në degjenerim. Kjo është e faktuar tanimë.
Belind Këlliçi e dogji kandidaturën e tij pa u futur ende në garë. Sepse në eufori e sipër publikoi një poster ku kishte ngritur dy gishtat e mesit përpjetë. Kjo shenjë, është alarmuese, jo vetëm për kundërshtarët por dhe për ndjekësit e tij. Por Belindi mendon se në këtë mënyrë banale ai do të shtojë më shumë ndjekës. Por me gjasa ka humbur shumë ndjekës. Më shumë nga sa e mendon.
Në të njëjtën kohë, një prezantuese e njohur programesh televizive, për pak vëmendje më shumë, tundi e shkundi vithet tek varri i gjyshes dhe na i përcolli këtë veprim si një model të ri vajtimi. Videoja që ajo e hodhi plot dëshirë në instagram ku ka nja 500 mijë ndjekës, jo vetëm që u bë virale, por shumë nga ndjekësit e saj e kryqëzuar për këtë veprim aspak të denjë të saj.
Mirëpo fama ka kosto.
Po aq bëri dhe Belindi. Ngriti gishtat përpjetë që në një farë mënyrë i shan ata që e shohin me çfarë i mban pragu i shtëpisë.
Hajde Belind Hajde. U bëre si Megi Pojani. Të dy bashkë po vuani për famë. Dhe përballoni edhe koston e saj me çdo çmim. Por kjo është kthyer në bumerang. Dhe bumerangu, kur nuk di ta luash, të bie kokës.
Janë dy fenomene në pamje të ndryshme por të dyja tregojnë më së miri se si po degjeneron shoqëria, të cilës vazhdimisht i jepen modelet më të kqija.
Dhe nuk ka rëndësi që Belindi ka shkruar mbi posterin e tij të pazakontë se në këtë mënyrë po lufton korrupsionin. Se si do ta luftojë ai korrupsionin me gishtat e mesit atë e di vetëm ai. Njerzit shohin imazhin. Dhe imazhi i tij me gishtat e mesit ngritur përpjetë flet më shumë sa sa ka folur ai gjatë gjithë këtyre ditëve në televizor duke propozuar ëndrra me sy hapur: nënkalime mes kryeqytetit dhe autobuzë pa biletë… e me televizor.
Mbetet vetëm luga në brez se sofra qenka shtruar.