Kandidati i “Foltores” për Tiranën, Belind Këlliçi, i ka bërë biografinë vetes.
Ai thotë se është tiranas, ka luajtur tenis që 6 vjeç dhe madje është shpallur kampion.
“Unë jam Belind Këlliçi. Unë jam Belindi dhe vij nga një familje tiranase. Mësimet e para i mora në shkollën Pjetër Budi dhe më pas ndoqa shkollën e mesme “Harry Fultz” ku edhe u zgjodha President i Qeverisë Studentore në vitin shkollor 2004-2005.
Kam luajtur tenis që në moshën 6 vjeçare dhe kam përfaqësuar Shqipërinë në shumë turne ndërkombëtare në vitet 2003-2005. Në vitin 2004 u shpalla Kampion Kombëtar i moshave U-18 në këtë sport.
Studimet universitare i ndoqa në Coppin State University në Maryland SHBA, ku u diplomova për Shkenca Menaxhimi me titullin “Summa Cum Laude” – “Me Nderimet më të Larta”.
Në universitet mora çmimin “Student ëith the highest GPA at graduation” – “Studenti me mesataren më të lartë në diplomim” dhe gjithashtu isha pjesë e Sigma Beta Delta, një shoqëri ndërkombëtare e nderimeve për fushat e biznesit, menaxhimit dhe administrimit.
Kjo ishte një përvojë jetësore që më formoi dhe më rriti profesionalisht.
Në vitin 2009 u ktheva në Shqipëri dhe iu bashkova Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Kjo ka qenë pikënisja e karrierës sime në politikë.
Pasi ndoqa te gjitha hapat dhe fazat e karrierës politike në strukturat e Degës 10, ku u zgjodha dhe anëtar kryesie i Degës në vitin 2013, në vitin 2014 u zgjodha Anëtar i Këshillit Kombëtar të PDSH dhe në dhjetor të vitit 2014 u zgjodha Anëtar Kryesie i PDSH si Drejtues i Departamentit të Përndjekurve Politikë dhe Pronarëve.
Ne dhjetor 2015 u zgjodha Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, në një proces “një anëtar, një votë”, proces unik për forumet rinore politike në Shqipëri, ku u zhvilluan 20 debate kombëtare mes kandidatëve dhe ku votuan më shumë se 10.000 të rinj.
Në Shkurt të vitit 2021 emërohem Drejtues Politik i Qarkut Tiranë për zonën e Kombinatit, Kasharit, Yzberishtit, Unazës së Re, Pezēs, Vagarrit dhe Ndroqit.
Pavarësisht dominimit prej vitesh të së Majtës në këto zona dhe shfrytëzimit te fondeve dhe administratës publike për qëllime elektorale nga partia në pushtet, arrita të thyej herësin dhe objektivin e PD me mbi 5004 vota, duke grumbulluar gjithsej 11,601 vota. Sipas këtij rezultati, u rendita kandidati tretë më i votuar nga radhët e opozitës.
Më 27 tetor 2022 shpalla kandidaturën në Primaret e Partise Demokratike për kreun e Bashkisë Tiranë, i vetëdijshëm për vështirësitë e përballjes me fuqinë me të madhe financiare, mediatike dhe korruptive që ka njohur Shqipëria.
Ecuria ime në politikë është përcaktuar nëpërmjet garës dhe votës së lirë. Jeta ime është garë. Kam garuar për të fituar një bursë studimi në SHBA, kam garuar në fushën e tenisit dhe kam dalë prej saj kampion, kam garuar për të drejtuar Departamentin e të Përndjekurve Politikë në PD, kam garuar për të drejtuar Forumin Rinor dhe për të qenë kandidat i opozitës. Jam ngjitur shkallë-shkallë, me mund, me dije dhe punë të ndershme.
Unë përfaqësoj në Kuvendin e Shqipërisë Tiranën periferike dhe atë rurale, zonën më të varfër të kryeqytetit, e dëmtuar nga tërmeti dhe mungesa e investimeve publike, arenë e zhvillimeve më të mëdha politike, kalë beteje për kauzat më të mëdha opozitare, si vrasja e te miturit Ardit Gjoklaj, çështja e inceneratorëve, abuzimet me Rindërtimin, projekti KombinArt dhe afera 22 milionë euro për 1 kilometër rrugë në Unazën e Re. Të gjitha zënë vend në zonën time elektorale. Prandaj e ndjeva detyrim qytetar dhe politik hyrjen në këtë garë”, thotë Këlliçi.