Shtetasit e tetë vendeve të treta, duke përfshirë këtu pesë vendet e Ballkanit Perëndimor, do të duhet të paraqesin prova më të forta dhe të qarta se vendi i tyre nuk është i sigurt posaçërisht për ta, në mënyrë që të mund të fitojnë mbrojtje ndërkombëtare në Belgjikë në të ardhmen.
Më 10 korrik, në Fletoren Zyrtare të Belgjikës është publikuar një listë e rishikuar e vendeve jo të Bashkimit Evropian, që konsiderohen si vende të sigurta të origjinës, të përbërë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Republika e Maqedonisë së Veriut, Kosova, Mali i Zi, Serbia, India dhe Gjeorgjia.
Sipas Zyrës së Komisionerit të Përgjithshëm të vendit për Refugjatët dhe Personat pa Shtetësi (CGRS), renditja e një vendi të origjinës si të sigurt mund të ketë disa pasoja specifike për procedurën që duhet të kalojnë aplikantët për mbrojtje ndërkombëtare në këtë zyrë dhe për procedurën e apelit në Këshillin për Çështjet e Ligjit për të Huajt.
“Një vend i origjinës mund të konsiderohet si i sigurt nëse në përgjithësi dhe vazhdimisht nuk ka persekutim apo rrezik për të pësuar dëme serioze. Për të përcaktuar nëse një vend është i sigurt, merret parasysh gjendja ligjore, zbatimi i ligjit dhe kushtet e përgjithshme politike në vend”, thuhet në njoftim.
Vendimi për listën e re është marrë qysh më 7 prill, por është publikuar në Fletoren Zyrtare vetëm të hënën e kaluar. Lista rishikohet çdo vit dhe të njëjtat vende janë në të që nga viti 2020.
Sipas Rrjetit Evropian të Migracionit, mbi 100 mijë njerëz aplikuan për mbrojtje në Belgjikë vetëm vitin e kaluar, mbi 63 mijë prej të cilëve ishin ukrainas me status të mbrojtjes së përkohshme.
Mbi 36 mijë persona të tjerë aplikuan për mbrojtje ndërkombëtare, që është 7 mijë më pak se në vitin 2015, por një rritje krahasuar me vitet e tjera të fundit.
Në të njëjtin vit, 2022, 32 mijë e 141 ishin aplikime për herë të parë, 4 mijë e 652 aplikime të mëvonshme dhe gjithashtu 71 persona të tjerë që mbërritën në Belgjikë përmes zhvendosjes.
Ndërsa 3 mijë e 853 persona pretenduan se ishin të mitur të pashoqëruar në kohën e aplikimit të tyre për mbrojtje ndërkombëtare, pas ekzaminimit nga Shërbimi i Kujdestarisë, vetëm 2 mijë e 272 u identifikuan efektivisht si të mitur të pashoqëruar.
Ndërsa, 93.8 për qind e tyre ishin djem, dhe shumica dërrmuese ishin shtetas afganë.