Për Komisionerin Publik, Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda nuk duhet të ishte konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit duke kërkuar shkarkimin nga detyra tek Kolegji i Posaçëm i Apelimit.
Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 103, datë 5.2.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Donika Prela, magjistrate/prokurore, drejtuese në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e mësipërm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, vlerëson se bazuar në provat dhe faktet e administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, subjekti i rivlerësimit, znj. Donika Prela, nuk plotëson kushtet për konfirmimin në detyrë.
Nëpërmjet këtij ankimi, Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen në seancë publike dhe, në përfundim të gjykimit, të ndryshojë vendimin nr. 103, datë 5.2.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Donika Prela.
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Me 5 shkurt të këtij viti, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi ta rikonfirmojë në detyrë zonjën Prela, duke i cilësuar të pabaza akuzat e bëra në adresë të saj.
Drejtuesja e komanduar e Prokurorisë së Krimeve të Rënda iu nënshtrua hetimit bazuar në tre kritere vlerësimi, atë të pasurisë, kontrolli i figurës dhe vlerësimi i aftësive profesionale.
Në lidhje me kriterin e pasurisë, Prelës iu konstatuan probleme me të ardhurat e bashkëshortit por që sipas sqarimit të bërë prej saj gjithçka është e justifikuar.