Ambasadori i BE, Luigi Soreca është angazhuar së fundi në një sërë takimesh me drejtues të strukturave të Reformës në Drejtësi, duke i nxitur ata që të përshpjetojnë procedurat për ngritjen sa më parë të SPAK dhe të Gjykatës Kushtetuese. Gjatë ditës së premte ai ka takuar kryetaren e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Natasha Mulaj. Mësohet se temë kryesore e diskutimeve ka qenë ngritja sa më e shpejtë e organeve të reja të drejtësisë përmes vettingut të kandidatëve për këto institucione.
“Vendosmëri e plotë për të vendosur në krye të prioriteteve vettingun e kandidatëve që ende nuk i janë nënshtruar këtij procesi dhe që kanë aplikuar për Gjykatën Kushtetuese edhe SPAK”, shkruan Soreca në Twitter. Disa ditë më herët, ambasadori i BE-së, është takuar me kreun e KLP-s Genti Ibrahimi si dhe me kreun e KED, Ardian Dvorani, më të cilët u njoh se në ç’fazë është procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK). Ngritja e SPAK dhe e Gjykatës Kushtetuese merr një rëndësi të veçantë në situatën aktuale politike. Gjykata kushtetuese do t’i japë zgjidhje ligjshmërisë së dekreteve të presidentit Meta për datën e zgjedhjeve, dekrete këto që kanë krijuar krizë politike dhe përplasje e dhunë në disa KZAZ, por edhe kërkesës së maxhorancës për të shkarkuar presidentin për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Ndërsa ngritja e SPAK merr rëndësi për dhënien e provave konkrete se drejtësia në Shqipëri funksionon. Realstory.al ka shkruar dhe më parë se, që Shqipëria të hapë negociatat në tetor, duhet të japë prova konkrete se drejtësia funksionon njëlloj për të gjithë. Pra që prapa hekurave të qëndrojnë dhe politikanë, siç ishte rasti i ish kryeministrit kroat Sanader (pas arrestimit të tij, Kroacia u pranua në BE).