Bashkimi Europian ka rritur presionet ndaj qeverisë sa i takon realizimit të kushteve me qilim hapjen e negociatave. Në qershor të këtij vitit u shty vendimi, por u lanë një sërë detyrë shtëpie, ku më të rëndësishmet ishin: Ngritja e SPAK dhe e Byrosë së Hetimit, lufta ndaj korrupsionit në nivele të larta dhe zbatimi i reformës në drejtësi. Vendimi përfundimtar do merret në qershor 2019 dhe Brukseli ka filluar të kërkojë sqarime se si po ecet me përmbushjen e kushteve. Dje në Bruksel u mbajt një takim mes përfaqësuesve të qeverisë dhe atyre të Komisionit Europian, ku vëmendja u përqendrua te procesi “screening”, të kapitullit 24 për “Sigurinë, Drejtësinë dhe Lirinë”.
Përfaqësues të Komisionit Europian, nën drejtimin e Marc Jorna nga Departamenti për Çështjet e Drejtësisë, vlerësuan progresin e bërë nga Shqipëria në procesin e analizës së përafrimit të kuadrit ligjor me atë të BE-së si dhe rezultatet e prekshme në luftën kundër krimit të organizuar. Ata kërkuan që të mbyllet sa më shpejt ngritja e organeve të reja të drejtësisë, ku përfshihen KLGJ, KLP SPAK dhe BKH. Pjesë e delegacionit janë përfaqësues nga Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Shëndetësisë, Dogana, Banka e Shqipërisë.
Dje është diskutuar për përafrimin e legjislacionit shqiptare me atë të BE, ku në fokus ka qenë korrupsioni, krimi pastrimi i parave, emigracioni, kufiri, të drejtat e njeriut, etj. “Hapat vendimtarë drejt çeljes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian”, deklaron zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko e pranishme në takimin me Komisionin Europian.
Kërkesat e BE
Bashkimi Europian vitin që vjen do të vendosë nëse ne e meritojmë hapjen e negociatave. Që kjo të ndodhë duhet që të përmbushen detyrat e lëna dhe madje komisioneri Knut Fleckenstein gjatë vizitës së tij në Tiranë e bëri të ditur se duhet luftë ndaj krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Po ashtu rëndësi të madhe ka ecuria e reformës në drejtësi dhe veçanërisht vetingu. Kryeministri Edi Rama u ka lënë një sërë detyrash ministrave të tij me qëllim plotësimin e kërkesave të Brukselit.
Ai ka paralajmëruar largime nga qeveria për ata që dështojnë. Dhjetori do jetë vendimtar, pasi pritet të bëhet një bilanc i të gjithë arritjeve dhe nuk përjashtohet mundësia që në ditët në vijim të ketë goditje në nivele të larta. Sa i takon SPAK dhe BKH këto dy organe do të ngrihen shumë shpejt. Në ditë në vijim kryeprokurorja Arta Marku pritet të bëjë lëvizjen finale për zyrtarizmin e KLP dhe pa kësaj nis menjëherë ngritja e SPAK.
Paralajmërimi i Fleckenstein
Lidhur me ecurinë drejt BE ka reaguar dhe reporteri për Shqipërinë Knut Fleckenstein. Ai ka dhënë një intervistë për “European Western Balkans”, ku fokusin e ka vënë te reforma në drejtësi. “Sa i takon ecurisë së reformës në drejtësi, jam mjaft i kënaqur, bazuar kjo dhe nga informacionet që kam marrë përmes mediave dhe nga ambasadori i BE. Sigurisht që nuk mund të ketë reforma pa probleme, por ne duhet të jemi të kënaqur me mënyrën se si po ecën. Sa i takon luftës ndaj krimit dhe korrupsionit ne shohim hapa të dukshëm, por sigurisht që kërkojmë akoma dhe më shumë”, tha ai./Kliti Topalli