Ndërkombëtarët vijojnë të thellojnë goditjet ndaj Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Pas djegies së mandateve, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kanë dhënë sinjale se mund të bojkotojnë edhe zgjedhjet vendore. Por nëse ndodh kjo, duket se PD-LSI do i shkaktojnë më shumë telashe vetes sesa mazhorancës. Dje ka mbërritur në Tiranë një delegacion me përfaqësues nga të gjitha vendet e BE, misioni i të cilit ishte të monitorojnë përgatitjet për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
Mbërritja e tyre ishte një sinjal shumë i qartë për PD dhe LSI, pasi Brukseli pret zgjedhje vendore edhe nëse Basha me Kryemadhin bojkotojnë. Ditën e djeshme ndërkombëtarët kanë zhvilluar një takim me kryeministrin Edi Rama dhe me presidentin Ilir Meta, duke anashkaluar takimet me kreun e PD dhe kryetaren e LSI. Kjo lëvizje e tyre tregon qartë se për BE nuk ka rëndësi se kush merr pjesë në zgjedhje, rëndësi ka që të jenë korrekte.
Reagon Luigi Soreca
Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca ka reaguar mbas takimit të delegacionit të BE. Përmes një statusi në rrjetet sociale, ai ka kërkuar nga palët politike të dialogojnë për të ecur përpara në rrugën drejt Bashkimit Europian. Luigi Soreca deklaroi se vendi ka ecur para në përmbushjen e reformave, por shtoi se ka ende punë. “Shqipëria ka bërë progres domethënës që nga qershori i kaluar.
Ka ende punë për të bërë deri në qershorin e ardhshëm. Tani është koha që të kapërcehen dallimet partiake dhe të angazhoheni në dialog. Për të ruajtur interesat e shqiptarëve të cilët duan të vazhdojnë rrugën drejt BE-së”, deklaroi Soreca. Por BE ka bërë shpesh herë thirrje për dialog mes palëve, duke i qëndruar besnik mendimit se bojkoti i Parlamentit cenon rrugën e integrimit.
Edhe pak kohë më parë, Luigi Soreca sërish i ka bërë thirrje mazhorancës dhe opozitës të ulen në tryezë për të mirën e vendit, duke shtuar se BE nuk mban asnjë krah politik. “Është e qartë që opozita po mban një qëndrim të saj pamundësinë për t’u kthyer mbrapsht. Na vjen keq për këtë. Ne ua kemi thënë këtë krerëve të opozitës, por ajo që kemi kuptuar është se ata nuk kanë synim të kthehen në Kuvend. Kjo ndikon në procesin e Shqipërisë drejt BE. Ne kemi bërë thirrje për dialog, ne nuk mbajmë anë. Ne i kemi kërkuar qeverisë që të ndërmarrë çfarëdo lloj hapi që të ketë një frymë konstruktive me opozitën”, tha Luigi Soreca.
LSI sulmon Brukselin
Mbas deklaratës së ambasadorit të BE se vendi ka bërë përparime të konsiderueshme, ka ardhur reagimi i parë nga opozita. Ish deputeti i LSI, Përparim Spahiu ka sulmuar Luigi Sorecën, duke thënë se nga qershori i vitit të kaluar nuk ka përparuar asgjë. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai deklaroi se vendi ndodhet në krizë të thellë në çdo drejtim.
“Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm që nga qershori i kaluar”, tha sot Soreca. Mund të më thotë dikush një, vetë një gjë, që ka përparuar nga qershori? Rendi (vrasje çdo ditë, të gjitha llojeve). Ekonomia (kryesojmë rajonin si vendi më i varfër me nr më të madh të kërkesave për azil). Drejtësia (një zot e di se kur do të gjejnë zgjidhje mijëra çështje që presin). Arsimi (studentët njoftojnë përsëri protesta). Bujqësia (fermerët të gjithë në rrugë, të falimentuar). Nëse shtimi i portaleve si struktura paralele të qeverisjes quhet sukses, atëherë po, gjetëm diçka”, u shpreh Spahiu. /Elisjeda Kiko