Media greke kërcënon duke thënë se për zotin Rama dhe ata që e mbështesin nuk ka asnjë alternativë apo mënyrë për të anashkaluar veton greke…
Shuplaka që Gjermania dhe vendet e tjera të BE i dhanë Mitsotakisit, kanë alarmuar Athinën. Edhe pse Greqia vendosi veton ndaj vendit tonë duke bllokuar hapjen e kapitujve të integrimit, asnjë shtet nuk e mbështeti. Madje kancelari gjerman kërkoi të ndalen të tilla manovra.
Lidhur me këto zhvillime ka bërë një artikull sot media greke “Protothema”. Ajo shkruan se kryeministri Rama po udhëheq një rikthim të tensioneve në marrëdhëniet greko-shqiptare, ku sipas tyre ky i fundit tenton të shfaqet si nderues i “autoritetet evropiane” për të kapërcyer veton greke për çështjen Beleri.
“Të inkurajuar nga mbështetja e ofruar për Shqipërinë nga vendet kryesore evropiane, në radhë të parë Gjermania, Rama zgjedh një konflikt kokë më kokë me Greqinë, duke shpresuar se presionet e ushtruara do të zbusin reagimin e Greqisë dhe se zgjatja e paraburgimit të Fredi Belerit dhe rrjedhimisht çështja në pritje për Bashkinë e Himarës do të krijojë lodhje si për evropianët dhe për Athinën”, shkruan “Protothema”.
Sipas saj, qeveria greke dhe vetë kryeministri Mitsotakis megjithatë dërguan mesazhin në çdo mënyrë se qëndrimi grek do të mbetet i vendosur dhe nuk do të ketë hapa të mëtejshëm në drejtim europian të vendit për sa kohë që rezultati i zgjedhjeve në Himarë nuk njihet dhe nuk jepet leja për të betuar Belerin si kryebashkiak i ri.
“Deklarata e kancelarit Scholz, i cili shprehu përkrahjen e tij për Shqipërinë, shkaktoi konfuzion për shkak të referimit të tij në një vendim të shumicës së cilësuar, gjë që natyrisht nuk është kështu në BE, ku unanimiteti është rregull për vendimmarrjen për zgjerimin”, theksohet në shkrim.
Media greke kërcënon duke thënë se për zotin Rama dhe ata që e mbështesin nuk ka asnjë alternativë apo mënyrë për të anashkaluar veton greke dhe për të parashtrohen argumente se kështu është vënë në rrezik zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor.
“Një proces që të gjithë e dinë se, edhe nëse do të nisë pa probleme, do të zgjasë vite për shkak të problemeve serioze që ekzistojnë në Sundimin e Ligjit, me korrupsionin, krimin e organizuar.
Qëllimi është thjesht mbajtja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në orbitën evropiane, në mënyrë që kjo të jetë një nxitje për t’i modernizuar dhe demokratizuar ato dhe për të qëndruar larg ndikimit rus apo kinez. Rama duket i vendosur për ta çuar në ekstrem përballjen me Greqinë dhe këtë po e bën jo vetëm në përpjekje për të treguar forcë për të mbajtur një diskurs nacionalist që dështimet e Shqipërisë do t’ia atribuojë qëndrimit të Greqisë, por kryesisht sepse ai nuk dëshiron që kryebashkiaku i ri i Himarës të jetë dikush që nuk e kontrollon dhe do të mund t’i krijojë probleme në planin e shfrytëzimit të supozuar turistik të zonës bregdetare të Himarës”, përfundon ajo.