Opinionisti Mero Baze e ka kritikuar ashpër Albin Kurtin, liderin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, duke thënë se nuk po mund të pajtohet me faktin e dy ministrave kosovarë në Qeverinë e Shqipërisë: “Ithtarit të Bashkimit Kombëtar i duken re të zeza në qiell dy dallëndyshet e para të bashkimit që e kanë kaluar kufirin para tij, duke u bërë zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar nga Kosova”, transmeton Gazeta Metro.
Baze e konsideron Kurtin “hipokrit”, sepse “ai është njeri që e ndan sot, më shumë se kushdo tjetër, Shqipërinë nga Kosova”.
Shkrimi i plotë
Nuk është problem pse Albin Kurti, një politikan ambicioz në Kosovë, është përfshirë në betejën politike në Shqipëri.
E di që kjo është një gjë joetike, por ai është ithtar i Bashkimit Kombëtar dhe nëse do t’ia pranojmë si të vërtetë atë kauzë duhet dhe ta lejojmë të përfshihet në punët tona.
Profili i një politikani nacionalist, që kërkon Bashkim Kombëtar, të jep hapësirë të ndash mes dy shteteve shqiptare dhe aspiratat e përbashkëta politike dhe idetë e tua, qofshin këto revolucionare, marksiste apo nacionaliste, edhe pse nuk lidhen me njëra tjetrën.
Në këtë pikë nuk më duket kurrfarë shqetësimi leksioni i tij para një grupi militantësh opozitarë në një fakultet në Tiranë, në ditët kur protesta studentore është në agoni dhe kur në vend të studentëve në grevë po hyjnë organizatorët realë të saj.
Nuk më interesojnë as sulmet politike ndaj tij. Ai nuk bëhet as më i mirë as më i keq dhe sikur të bëjë aleancë me Ilir Metën, Sali Berishën, apo Edi Ramën.
Si politikan që pretendon se është për Bashkim Kombëtar, e ka të lejuar çdo gjest që bashkon Shqipërinë me Kosovën.
Por, ai ka marrë rrugën nga Prishtina në Tiranë për të kundërtën.
Për ta mallkuar të vetmin gjest bashkimi mes dy vendeve, përulësinë e shtetit shqiptar, për t’i besuar dy të rinjve nga Kosova dy poste të rëndësishme shtetërore.
Ai ka ardhur në Shqipëri t’i sulmojë disa qytetarë të Kosovës të cilët Shqipëria i ka bërë ministra të rëndësishëm të saj.
I njëjti njeri që ka luksin të vijë në Tiranë, t’i bashkohet një proteste politike kundër qeverisë, të lejohet nga qeveria për këtë pa asnjë kompleks, të bëhet pjesë e një lëvizjeje opozitare që paralajmëron dhe dhunë, i njëjti njeri nuk pranon dot, biles fjala e duhur është “nuk gëlltit dot”, faktin që Qeveria e Shqipërisë ka bërë dy ministra nga Kosova.
Ithtarit të Bashkimit Kombëtar, i cili përpiqet të na tregojë qiellin e madh të bashkimit, i duken re të zeza në qiell dy dallëndyshet e para të bashkimit që e kanë kaluar kufirin para tij, duke u bërë zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar nga Kosova.
Edhe sikur Gent Cakaj dhe Besa Shahini të ishin njerëzit më të poshtër të Kosovës dhe më të degraduarit, e saj, ithtari i Bashkimit Kombëtar duhet të përmbante inatet e vogla, dhe duhet të ishte në krah të tyre nëse do ishte i sinqertë në atë që pretendon se ka në mendje.
Në fakt, unë nuk njoh as Besën dhe as Gentin, por të vetëm akuzë që kam dëgjuar për ta, dhe që e kam dëgjuar nga “Vetëvendosja” e Kurtit, është se ata janë “tradhtarë”, se dikur kanë qenë në “Vetëvendosje”, e nuk janë më. Biles, Besa paska dhe një njollë më të madhe në biografi, se qenka bashkëjetuesja e një armiku të Albin Kurtit, po ashtu tradhtar i tij.
Ky është nivel ordiner i të bërit politikë. Është si ata që thoshn se Albin Kurti është nacionalist fallco se e ka gruan skandinave.
Të ngrihesh nga Prishtina të vish në Tiranë për ta përmbysur nga ministre arsimi Besa Shahinin, duke iu bashkuar grevës pedagogëve dështakë, se të ka tradhtuar bashkë me burrin “Vetëvendosjen”, dhe të sulmosh një 28 vjeçar që paska qenë i “Vetëvendosjes”, nën akuzën se e paska mik Baton Haxhiu, do të thotë të jesh jo ithtar i bashkimit, por profet i përçarjes kombëtare, dhe një lider ose shpirtvogël, ose me mendësi enveriste, ku parimi kryesor është se armiku i brendshëm është më i rrezikshëm se armiku i jashtëm.
Kjo gjë i nderon shumëherë më shumë sesa ndoshta e meritojnë armiqtë e Albin Kurtit dhe e poshtëron atë shumëherë më shumë sesa ndoshta e meriton.
Asnjë politikan shqiptar nuk e kam parë të jetë kaq i verbër në inatin ndaj armiqve të partisë sa ky rast dhe kurrë në botë nuk mund të gjesh një politikan që pretendon që është nacionalist, që e do Bashkimin Kombëtar mes dy shteteve, ndërsa tërbimin më të madh e ka pse shteti amë emëron dy ministra të shtetit bij, që pretendon t’i bashkohet një ditë.
Unë mendoja se ky do tentonte t’i prishte punë Edi Ramës duke e lavdëruar për këtë gjest si gjest i Bashkimit Kombëtar dhe të alarmonte kancelaritë perëndimore me diabolizëm, duke qenë se është identifikuar si përkrahës i bashkimit. Kurse ky s’e kalon dot ende mllefin ndaj armiqve të brendshëm të partisë së tij, të cilët është gati t’i shpall dhe armiq të kombit, si një delirant që identifikon Kombin me partinë e vet.
Kjo ose e bën këtë njeri hipokrit të madh, ose politikan të vogël, që nuk duhet marrë seriozisht, si një njeri që ka nxjerr shpatën t’u pres kokën dy vetëve që bashkojnë sot Shqipërinë me Kosovën.
Dhe mbi të gjitha, si një njeri që e ndan sot, më shumë se kushdo tjetër, Shqipërinë nga Kosova./gazetametro.net