Bayerni i Mynihut është rikthyer te fitorja, që i mungonte që prej 22 Shtatorit, kur mposhti Schalken me rezultatin 0-2 në transfertë, ndërsa që prej atëherë numëronte dy barazime dhe dy humbje mes kampionatit dhe Champions Leagues.
Skuadra e Kovaç triumfoi me rezultatin 1-3 në transfertën ndaj Wolfsburgut, në një sfidë që u vendos më së shumti prej formës së shkëlqyer të sulmuesit polak, Robert Lewandowski.
Ky i fundit shënoi një dopietë dhe asistoi për mesfushorin James Rodriguez në golin e tretë, ndërsa vendasit shënuan me Weghorst golin që do të vlejë vetëm për statistikë.
Vlen të përmendet se bavarezët luajtën për një pjesë të mirë të lojës me një lojtar më pak, pasi holandezi Arien Robben u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 57’, pas dy të verdhëve.
Borussia Dortmund vijon të ecë me hap kryesuesi, pasi mposhti me rezultatin e thellë 0-4, Stuttgartin në transfertë. Verdhezinjtë shënuan 3 herë brenda pjesës së parë me anë të Reus, Paco Alcacer dhe Sancho, ndërsa në 45-minutëshin e dytë gjetën golin me anë të Philip, 5 minuta larg fundit të sfidës.
Bayer Leverkusen shënoi një gol në minutat shtesë dhe arriti të marrë një barazim 2-2 në shtëpi ndaj Hannoverit, duke shmangur humbjen, por gjithsesi jo krizën e rezultateve. Në barazim, por këtë herë pa gola, përfundoi edhe sfida mes Augsburgut dhe Leipzigut, ndërsa Hoffenhaim triumfoi me rezultatin 1-3 në transfertën ndaj Nurnbergut.