Kryeministri Edi Rama inspektoi ditën e sotme punimet për ndërtimin e lagjes së re në Ndoq, bashkë me ministrin e Rindërtimit Arben Ahmetaj dhe kreun e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Ahmetaj deklaroi se zërat se qeveria nuk do i shpronësojë banorët e zonës apo nuk i lë të shesin shtëpitë janë gënjeshtra elektorale.
“Bashkitë tani mund të fillojnë të futen në procesin e marrëveshjeve me familjet që janë dëmtuar. Shtëpinë e gëzojnë e trashëgojnë dhe bëjnë çfarë të duan. Çdo lloj thashethemi që thuhet poshtë e lartë që qeveria nuk I lë ta shesin është gënjeshtër elektorale”, tha Ahmetaj
Rama u shpreh se për çdo kalim afati për pagesat e banorëve apo apartamentet që përfitojnë ata nga shpronësimi, qeveria dhe bashkia duhet të paguajnë një penalitet.
“Familjet po kthehen në shtëpi. Një pjesë e atyre që shtëpitë I kanë në pika që nuk janë të favorshme mund të marrin paratë në dorë. Sugjerimi duhet të jetë që të mos e ndërtojnë atje. Që të gjejnë një zgjidhje tjetër me shumën që kanë. Ata që presin apartamente edhe për ata do fillojë. Një pjesë e tyre duhet të presin ende.
Për çdo kalim afati, qeveria, bashkia do të paguajnë një penalitet. Ai e ka kontratë me vlerë noteriale dhe nëse do të kërkojë llogari për hedhje në gjykatë le të shkojë. Maskarallëqetë po shtohen për shkak të zgjedhjeve. Këto janë dokrra, që shtëpinë do iua marrë qeveria. Por megjithatë njerëzit kanë të drejtën e tyre”, tha Rama.
Rama u takua me edhe një çift banorë të zonës. Zonja e shtëpisë iu drejtua kreut të qeverisë për t’I dhënë dorën në formë përshëndetëse, por ky i fundit refuzoi duke e këshilluar të bëjë kujdes për shkak të COVID.
Pjesë nga biseda
Edi Rama: Do ju shtohen shumë komshinjtë.
Banorja e zonës: Ju rrofshi. Jam burrë e grua, kam dy goca. Çfarë do bëhet me tokën time?
Arben Ahmetaj: Me ligjin e rindërtimit ti e ke të drejtën të marrësh paratë e tokës, ose metra katrore.
Banorja e zonës: Më hoqën vendin e lopës.
Edi Rama: Po të hoqën vendin e lopës, të japim vend tjetër për lopën.
Edi Rama: Kush të merr në telefon?
Banorja e zonës: Moma.
Edi Rama: Jepja këtij të flasë.
Banorja e zonës: Kush flet me vjehrrën, kush e do vjehrrën!
Edi Rama: Do më lësh të flas apo jo, jam i vetmi kryeministër në botë që kudo ku shkoj, kërkoj fjalën.
Banorja e zonës: Rrofsh kryeministër.
Edi Rama: Mos ma jep dorën.
Banorja e zonës: Le ta marr Covid-in sot prej teje
Edi Rama: A je në terezi. Puna është të heqësh zakonin se prej meje nuk e merr COVID!
Banorja e zonës: Ti je qytetar o non.
Edi Rama: Puna është të heqësh zakonin.
Banorja e zonës: Të tjerët nuk i takoj unë.
Edi Rama: Këtë zonjën të sugjeroj ta marrësh supervizore për punëtorët. Çfarë bën ti këtu, pse rri këtu, po të kesh këtë supervizore nuk rri këtu ti, shkon punon. Inxhinieri ora 4, thotë dhe ikën i pari. Ti duhet të ikësh i fundit.