Publikimi i databazës së pagave ka nxjerrë në dritë shumë skandale dhe afera që ndodhi në institucionet shqiptare. Por nga ana tjetër tregoi gjithashtu se shumë gazetarë dhe analistë që flasin gjithë ditën në televizione marrin nga 3-4 rroga dhe gati 10 fish më të larta se pagat e presidentit dhe kryeministrit.
Rasti më flagrant është i gazetarit Baton Haxhiu, i cili figuron si pjesë e Spitalit Amerikan. Në databazën e pagave të muajit janar 2021, rezulton se Baton Haxhiu ka marrë në këtë muaj 1,797,317 lekë të reja si drejtor i marketingut në Spitalin Amerikan.
Në databazë thuhet gjithashtu se ai ka punuar më shumë se 87 orë në muaj, që i bie diku te 11 ditë nga 8 orë çdo ditë. Për 87 orë punë ka marrë afro 18 milionë lekë të vjetra. Por dalja e emrit të tij në skenë si punonjës i Spitalit Amerikan ngre dhe dyshime të tjera.
Vetë drejtori i spitalit merr 22 milionë lekë të vjetra, ndërsa Baton Haxhiu 4 milionë më pak. Kjo e bën Baton Haxhiun si menaxherin e marketingut më të mirëpaguar në botë. Nëse kthehemi pas në kohë, Baton Haxhiu është përfolur se ka shërbyer si këshilltar i kryeministrit Rama kur ky i fundit sapo mori qeverinë.
Edhe pse ai asnjëherë nuk e ka pranuar publikisht, të gjithë e dinë se është mik i ngushtë me kryeministrit dhe e ka këshilluar në shumë raste. Por Spitali Amerikan ka marrë shumë favore nga qeveria dhe një ndër to është koncesioni i hemodializës, 2 vite pasi PS mori pushtetin. Edhe pse ka shumë pikëpyetje mbi këtë koncesion, ai vijon të ushtrohet nga Spitali Amerikan dhe pyetja që shtrohet është:
A ka qenë Baton Haxhiu kumbar i këtij koncesioni? Lidhjet e tij me qeverinë dhe Spitalin Amerikan të bëjnë të dyshosh. Sado mund të jesh i aftë dhe i zoti, por një drejtor marketingu është shumë e vështirë të marrë 18 milionë lekë në muaj, pak a shumë sa kreu i vetë spitalit. Dyshimet janë se lepuri fle diku tjetër dhe gishti është drejtuar te koncesioni i hemodializës.
Shkelja e konkurrencës
Në vitin 2015 qeveria dha me koncesion procesin hemodializës, i cili u fitua nga “Dia Vita” sh.p.k. Amerikan Hospital zotëron 15% të aksioneve dhe Evita – 85%. Por gjithë procesi zhvillohet në Spitalin Amerikan dhe Autoriteti i Konkurrencës ka evidentua mjaft problematika me koncesionin e hemodializës.
“Tregu i shërbimit të dializës ka një përqendrim të lartë, duke i dhënë karakteristikat e një tregu oligopolistik. Nga struktura e tregut, konstatohet se shërbimi i dializës po zhvendoset drejt spitaleve jopublike dhe shoqërisë koncesionare, ndërkohë që ne spitalet publike ofrohet vetëm pranë QSUT-së e cila mbulon XX% të kërkesës për shërbim”, thuhet në një vendim të marrë nga Autoriteti i Konkurrencës në 23 Shtator 2021.
Kompania koncensionare “Dia Vita” u krijua pas nënshkrimit të kontratës koncensionare dhe në të merrte pjesë edhe shoqëria “Spitali Amerikan”. Përfshirja e këtij spitali privat orientoi dhënien e shërbimit të Dializës pranë Spitalit Amerikan, e cila siguroi infrastrukturën e nevojshme.
Sipas kontratës, shërbimi i Hemodializës duhet të ofrohet në spitalet publike në Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan. Pra duket se ka qenë një proces mjaft i studiuar dhe dyshimet janë se ka pasur ndërhyrje të forta që u shkua te kjo kontratë.