Nuk ndalet puna për prishjen e ndërtimeve pa leje në Unazën e Madhe në zonën e Astirit, per t’i hapur rrugë kantierit për realizimin e projektit.
Inspektorati Ndërtimor i Bashkisë së Tiranës ka vijuar edhe sot me prishjen e disa objekteve të tjera pa leje, të cilat janë ndërtuar në gjurmën e Unazës së Madhe.
Bëhet fjalë kryesisht për objekte që shërbenin për funksione biznesi të ndërtuara pa leje në vijën e parë anës rrugës dhe që preken nga projekti i zgjerimit të unazës.
Specialistët e IMT dhe të ndërmarrjeve të tjera bashkiake kanë gjetur bashkëpunimin e banorëve që posedonin këto objekte, të cilët kanë pranuar që t’i boshatisin ato vullnetarisht dhe për t’i krijuar mundësi mjeteve të rënda që të vazhdojnë me procesin e prishjeve.
Krahas këtij procesi, Bashkia e Tiranës ka vijuar edhe me largimin e mbetjeve inerte.