Detaje të reja janë zbuluar nga vetëvrasja e 38-vjeçarit Betim Kastrati, brenda mjetit të tij në Fier.
Burime thanë se viktima kishte probleme në familje dhe bashkëshortja e tij ishte me urdhër mbrojtje për dhunë në familje.
Mësohet se çifti ishin prindër të dy fëmijëve të mitur. Sipas burimeve, kohët e fundit ai ka shfaqur shenja të depresionit, çka dyshohet edhe të jetë bërë shkak për veprimin e rëndë që ai ka ndërmarrë, duke i dhënë fund jetës.
Betim Kastrati punonte si shofer i drejtorit të Autoritetit Portual të Durrësit dhe banonte në zonën e Kamëz.
38-vjeçari u gjend pa shenja jete brenda makinës në afërsi të rreth rrotullimit të Kolonjës, në aksin rrugor Fier-Lushnjë.
“Nga tërësia e veprimeve paraprake të kryera dhe provat e gjetura në vendngjarje dyshohet se shtetasi B. K., si pasojë e depresionit është vetëvrarë me armë zjarri pistoletë e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, informoi policia.