Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë ditën e sotme dënimin për ish-nëndrejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Iljaz Labi.
Krimet e Rënda e kanë dënuar Labin me 3 vite burg të pezulluara nga fakti, që Labi ka marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Mbi Labin rëndonte akuza e korrupsionit me tenderat e ushqimeve në Burgje. Në dallim nga ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto që u dënua me 5 vite burg, Labi ka përfituar një masë më të lehtë pasi ka marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Gjykata e Krimeve të Rënda shtyu vendimin për Labin pak javë më parë, pasi avokatët mbrojtës të Labit mungonin në seancë. Mungesa e tyre solli gjobitjen nga Gjykata, me 50 mijë lekë të vjetra për shtyrje të procesit.
Mësohet se biznesmeni Shemsi Sinani, është dënuar me 4 vite burg, ndërsa biznesmenët Elidon Laska, Nexhmi Balla dhe Ylber Kalaja janë dënuar me 3 vite burg secili.
Labi mori statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, pasi pranoi akuzat e korrupsionit me tenderat e vezëve dhe bulmetit në burgje, në bashkëpunim me Artur Zoton, ish-drejtor i Përgjithshëm.
Labi dhe Zoto u përballën mes tyre në gjyq. Ishte Labi që hodhi dritë mbi korrupsionin në tenderat e ushqimeve në burgje. Labi tha se mori 2 milionë lekë nga biznesmeni Shemsi Sinani, në një lokal në zonën e ish-bllokut, dhe ia dha ato ish-drejtorit tashmë të dënuar, Artur Zoto.
Dy ish-zyrtarët u përfshinë pak muaj më parë në skandalin e tenderave të vezëve dhe bulmetit në burgje.