Ish-kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu deklaroi mbrëmjen e djeshme në emisionin ‘Open’ se kryetarit të PD, Lulzim Bashës i është refuzuar viza për të udhëtuar në SHBA.
Spahiu tha se kjo është e vërtetë dhe së fundmi në PD ka nisur edhe një revoltë kundër Bashës. Sipas Spahiut, në listën e personave që u është refuzuar viza nga SHBA janë edhe ministra të Ramës.
“Iu kam deklaruar se Bashës i është ndaluar hyrja në SHBA. Tani i është ngritur e gjithë partia dhe po del e vërtetë. Ka disa ministra dhe ish-ministra socialistë, kryetarë gjykatash, drejtorë doganash dhe tatimesh që nuk lejohen të udhëtojnë në SHBA. Kjo është një kategori tjetër nga ajo e Berishës. Berisha ka minuar demokracinë dhe destabilizuar Ballkanin.”, tha Spahiu.
Ka qenë edhe kandidatja për kryetare të PD, Edith Harxhi që ka deklaruar publikisht se Bashës i është refuzuar viza nga SHBA.