Bashar al-Assad mbërriti në Moskë me familjen e tij, raporton agjencia ruse e lajmeve Interfax. Rusia, vazhdon kjo agjenci, i ka garantua azil diktatorit sirian pas rënies së Damaskut. Agjencia e lajmeve Interfax citoi burimin e paidentifikuar të thoshte: “Presidenti sirian Assad ka mbërritur në Moskë. Rusia u dha atyre (atij dhe familjes së tij) azil për arsye humanitare”.
Presidenti amerikane Joe Biden në një konferencë nga Shtëpia e Bardhë e quajti rënien e regjimit të Assad, një mundësi historike për popullin sirian. Sipas tij largimi i Assad është një akt themelor drejtësie, por edhe një moment rreziku dhe pasigurie. Më tej ai shton se ‘Assad duhet të sillet para drejtësisë dhe të ndëshkohet’.
Qeveria e Presidentit sirian Bashar al Assad ra të dielën (8 dhjetor) përballë një sulmi të rrufeshëm të kryengritësve që morën kontrollin e kryeqytetit sirian, Damask. Ushtria hodhi në rrugë uniformat e dorëzoi qytetin duke braktisur aeroportin.
Damasku është “tani i lirë nga Assadi”, thanë rebelët në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale. Ndërsa turmat dolën në rrugë për të kremtuar fundin e 50 viteve të sundimit të hekurt të familjes Assad.
Televizioni shtetëror sirian transmetoi një video deklaratë të një grupi burrash duke thënë se presidenti Bashar al Assad është rrëzuar dhe të gjithë të burgosurit ishin liruar.
Burri që lexoi deklaratën tha se grupi i opozitës, i njohur si “Dhoma e Operacioneve për Pushtimin e Damaskut”, u bëri thirrje të gjithë luftëtarëve kryengritës dhe qytetarëve që të ruajnë institucionet e “shtetit të lirë sirian”.
Askush nuk do të duhet t’u afrohet “institucioneve publike” në Damask, të cilat do të mbeten tani për tani nën “mbikëqyrjen” e kryeministrit në largim, “derisa ata zyrtarisht të ndryshojnë duart!” këtë e bëri të ditur Al-jolani, kreu i HTS, grupi i armatosur shkruan “La Repubblica”.
Rebelët hynë dhe në pallatin presidencial të Bashar al-Assad.
Statuja e ngritur në Damask në nder të babait të Assad, Hafez Al-Assad – që sundoi Sirinë nga 1971 deri ditën e vdekjes në vitin 2000- u rrëzua dhe u shkel me këmbë.
Rebelët hapën dyert e burgut të torturës Sednaya një simboli pushtetit të Asad dhe po ashtu kontrollojnë radion dhe televizionin publik ku kanë njoftuar se kreyministri do të qendrojë në detyrë për të siguruar dorëzimin e pushtetit.
Arratisja e Assad
Rebelët që hynë në Damask njoftuan “arratisjen” e “tiranit” Bashar al-Assad dhe fillimin e një “epoke të re” në Siri pas 50 vjetësh të sundimit Baath. Grupi i rebelëve Hayat Tahrir al-Sham, i drejtuar nga Abu Mohammad al-Jolani, u bëri thirrje sirianëve të zhvendosur jashtë vendit që të kthehen në një “Siri të lirë”.
Kryeministri sirian Mohammed Ghazi Jalali tha në një video deklaratë se qeveria është e gatshme t’i “shtrijë dorën” opozitës dhe t’ia kalojë funksionet e saj një qeverie kalimtare. Ai më vonë i tha rrjetit televiziv saudit Al-Arabiyya se nuk e di se ku janë Assadi dhe ministri i mbrojtjes dhe se kishte humbur komunikimin me Assadin të shtunën vonë (7 dhjetor)
Agjencia e lajmeve Reuters shkruan se presidenti Bashar-al Assad që drejtori vendin për 25 vjet u largua në orët e parë të kësaj të diele me një Aeroplan .Sipas Al-Jazeera fluturimi i fundit nga Damasku ishte Syrian Air 9218 i cili ka fikur sinjalin menjëherë pas ngritjet mbi qytetin Homs të kontrolluar nga rebelët.
Ndërkohë presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump tha se Assad kishte “ikur nga vendi i tij” pasi humbi mbështetjen e Rusisë. “Assad është zhdukur”, tha ai në platformën e tij “Truth Social”.
Mbrojtësi i tij, Rusia, e udhëhequr nga Vladimir Putin, nuk ishte e interesuar ta mbronte më atë.
Edhe BE e ka quajtur zhvillim pozivit largimin e Assadit.
Renia e pushtetit të Assad
Hafez al-Assad sundoi Sirinë nga viti 1971, deri në vdekjen e tij në vitin 2000, duke krijuar një regjim brutal dhe vrasës përpara se djali i tij Bashar, të vinte në pushtet. Forcat opozitare nuk kishin hyrë në Damask që nga viti 2018, kur trupat siriane rimorën zonat në periferi të kryeqytetit pas një rrethimi shumëvjeçar.
Ofensiva e befasishme e kryengritësve sirianë filloi më 27 nëntor nën drejtimin e grupit xhihadist Hayat Tahrir al-Sham, ose HTS, gjatë së cilës persona të armatosur pushtuan qytetin verior të Aleppos, më i madhi i Sirisë, dhe qytetin qendror Hama, qyteti i katërt më i madh i vendit. E një natë më parë kishin marrë qytetin qendror të Homsit, i treti më i madhi i Sirisë, pasi forcat qeveritare e braktisën atë
Grupi e ka origjinën tek Al-Kaida dhe konsiderohet një organizatë terroriste nga SHBA dhe Kombet e Bashkuara. Udhëheqësi i tij Abu Mohammed al-Golani i tha CNN në një intervistë ekskluzive të enjten nga Siria se qëllimi i ofensivës ishte të përmbyste qeverinë e al-Assadit.
Në përpjekjet e tyre për të rrëzuar qeverinë e Assadit, kryengritësit, të udhëhequr nga grupi Hayat Tahrir al-Sham, ose HTS, kanë hasur në rezistencë të paktë nga ushtria siriane.
Përveç HTS-së, në ofensivë ka edhe luftëtarë të grupit ombrellë të mlicive siriane që mbështeten nga Turqia, të quajtur Ushtria Kombëtare Siriane. Turqia mohon se mbështet ofensivën, edhe pse ekspertët thonë se kryengritësit nuk do të përfshiheshin në të pa pajtimin e këtij shteti.
Më 6 dhjetor, Kombet e Bashkuara thanë se pothuajse 300.000 persona në Siri janë zhvendosur që nga fundi i nëntorit për shkak të luftimeve, duke shtuar se deri në 1.5 milion persona mund të detyrohen të zhvendosen, teksa rebelët po avancojnë dhe po i shkaktojnë humbje Assadit, por edhe aleatëve të tij, Rusisë dhe Iranit.