Mes PD dhe LSI, pas bashkimit të dështuar për të sabotuar reformën në drejtësi, është rikthyer sërish mosbesimi dhe armiqësia. Lulzim Basha, pas disa ultimatumeve të amerikanëve, braktisi lojën e Metës dhe Monikës, duke hequr dorë nga lufta politike kundër SPAK-ut dhe nga skenari për destabilizimin e vendit, që ishte shpresa e fundit e Metës dhe Berishës për të shpëtuar veten, familjarët dhe pasuritë nga Byroja Kombëtare e Hetimit.
Nga ana e tij, Meta nisi disa sulme ndaj Bashës, duke e ironizuar edhe për fitoren imagjinare në zgjedhjet e 30 qershorit me 85 % të votave, zgjedhjeve në të cilat PD dhe LSI nuk morën pjesë. Por, nuk vonoi as përgjigja e Bashës, i cili pasi injoroi dekretin e Metës për 13 tetorin, dekonspiroi lojën, duke thënë se Meta dhe Monika nuk e kanë seriozisht për zgjedhjet e imagjinare të 13 tetorit. Ditën e sotme, Meta dhe Monika nxorën Petrit Vasilin, i cili akuzoi Lulzim Bashën se po bashkëpunon me Ramën. Vasili akuzoi Bashën se po bashkëpunon me Ramë, duke mos njohur dekretin e Metës për 13 tetorin. Nga ana tjetër, sipas burimeve, Basha ka urdhëruar ushtarët e tij të rikthejnë në vëmendje një nga dosjet më të zeza të Ilir Metës. Bëhet fjalë për aferën mes CEZ dhe DIA. Ish-pronari i DIA, Kastritot Ismaili, sot në burg, njihet për lidhjet e forta korruptive me Ilir Metën. Ismaili, i tradhtuar nga të gjithë, duket se është gati të fjalë për aferat e Ilir Metës. Në vitin 2015, kur Basha nisi sulmet ndaj Ilir Metës për këtë aferë, foli për një dëshmitar të zhdukur, i cili sipas tij, do të fundoste Metën. Basha u shpreh se :”Pamë sesi dëshmitari kyç, i cili ka në dorë të shpëtojë 135 milionë eurot që DIA kërkon në arbitrazhin e Vjenës, ndonëse i mbrojtur nga Policia u kërcënua me jetë.
Kjo sepse fundosja e DIA-s merr me vete edhe Ilir Metën ndaj dhe dëshmitari Elvis Mataj është kërcënuar me jetë, ai dhe familja e tij. Kjo është tango kriminale që po kërcehet nga dy kumbarët, që kërcënojnë, godasin njëri-tjetrin por edhe mbahen fort pas njëri-tjetrit për hir të qindra milionë eurove, para të shqiptarëve, ndërkohë që varfëria ka shkuar në skaj, të pamundurve u merret shpirti, u mbyllet dyqani, u shkelmohet tezga, mbyllet biznesi i vogël e konfiskohet me dhunë malli i atyre që nuk fitojnë dot as 5 mijë lekë të vjetra në ditë për të ushqyer fëmijët e tyre, teksa në krye të vendit vazhdon pra tango kriminale e dy kumbarëve Edi Rama e Ilir Meta”. Sipas Bashës, Meta është edhe kumbari i marrëveshjes mes qeverisë Rama dhe CEZ. “Po si u shkua tek ky dëshmitar i mbrojtur nga Policia?! Kush e mban këtë fije?! Këtë fije e ka në dorë kumbari i parë Edi Rama, i cili sigurisht që po mban nën presion ortakun e tij me këtë dosje kriminale. Nga ana tjetër, kumbari i dytë, Ilir Meta ka në dorë të nxjerrë aferën e 600 milionë eurove që iu falën apo u ndanë me CEZ nga Edi Rama, aferë që u mbyll me marrëveshjen e votuar në parlament, ku u sanksionua që hartuesit e këtij pakti nuk do të ndiqeshin penalisht. Pra u falën, u hap rruga për të ndalur ndjekjen penale që kish nisur nga qeveria e mëparshme ndaj të gjithë personave të përfshirë në këtë aferë”. Sipas burimeve, në fillim të shatorit, kjo dosje do të rikthehet nga njerëzit e Bashës, me qëllim për të nxitur prokurorinë për të marrë nën hetim Metën. Në të njëjtën kohë, Rama me ushtarët e tij, ka ngritur një komision hetimor për ta shkarkuar Metën si Presidenti, komision i cili mbështetet në heshtje nga Basha./Pamfleti/