Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha duket i vendosur për ta çuar përpara projektin e tij për të pastruar partinë nga klani “Berisha”.
Kur erdhi në krye të PD, Lulzim Basha nis një reformë të thellë, duke përjashtuar dhe larguar nga partia pjesën më të madhe të themeluesve, si dhe zërave kritikë.
Kulmi i përjashtimeve ndodhi para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017 dhe pas paktit të 17 majit “Rama-Basha” të 3 viteve më parë, ku në mënyrë të beftë kryedemokrati Basha la jashtë shumë figura të spikatura si ish-nënkryetaren e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli apo ish-nënkryetarin e PD, Astrit Patozi.
Por dje është zbardhur lista e kandidatëve për deputetë të PD në Qarkun e Kukësit, ndërsa bie në sy fakti se ish-ministri i Brendshëm dhe deputeti, Flamur Noka është hequr nga lista. Kandidatët do t’i nënshtrohen procesit të votimit nga anëtarësia e demokratëve.
Mirëpo, fakti se ish-deputeti i Kukësit, Flamur Noka nuk do të kandidojë më në këtë qark, tregon qartë dhe pohon atë që gazeta ka paralajmëruar para se të niste procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë në 12 qarqe, se shumë emra që janë pranë ish-kryeministrit Sali Berisha dhe që kryedemokrati Lulzim Basha nuk i ka me sy të mirë, pritet të mos jenë më në Parlament. Flamur Noka flitet se do kandidojë në Tiranë, por dhe mund të mbetet jashtë.
Ish-deputetët rrezikojnë largimin
Kjo strategji e ndjekur nga shefi i selisë blu do të thotë se Basha pritet që shumë prej ish-deputetëve dhe emrave që kanë qenë njerëz të Berishës, pritet t’i zëvendësojë me emra të rinj, sikundër është fakti që Noka nuk figuron në listat e qarkut Kukës dhe se në to ka plot emra të rinj.
Kështu, hiq Bashkim Shehun që ka qenë kreu i Bashkisë Kukës, emrat e tjerë që kanë zëvendësuar ish-deputetin Flamur Noka si Admir Sinamati, Arben Cejku, Ibrahim Bruka, Sahit Prizreni apo Vjollca Vata janë emra të rinj dhe të panjohur në korridoret e politikës dhe Partisë Demokratike.
Nga ana tjetër mësohet se në Qarkun e Kukësit, më konkretisht në rrethin e Tropojës, Basha ka vendosur që të kandidojë disa besnikë të tij si Isuf Çela apo Mimoza Hajdarmataj. “Dega Tropojë, Qarku Kukës: Besnik Dushaj, Feride Rrahmani, Isuf Çela, Lush Susaj, Mimoza Hajdarmataj dhe Xhem Nezaj”, mësohet të jenë disa nga emrat e propozuar për këtë rreth.
Po ashtu janë zbardhur edhe emrat që pritet të kalojnë në filtra sa i takon rrethit të Hasit, ku edhe këtu bie në sy fakti se shumë emra janë të rinj. “Dega Has, Qarku Kukës: Avenir Peka; Demush Kastrati; Elez Maci; Ismet Jaku dhe Zenel Kastrati”, mësohet të jenë disa nga emrat e propozuar për këtë rreth.
Largimet
Por nga ana tjetër gazeta ka mësuar se arsyeja tjetër se përse Basha do të vendosë emra të tjerë dhe të rinj në listën e deputetëve që do të garojnë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare është fakti se ai kërkon që të ketë figura dinjitoze që të përfaqësojnë PD-në, kjo pasi disa prej ish-deputetëve, por edhe deputetët aktualë që etiketohen si deputetë të opozitës së re ia njollosën figurën Partisë Demokratike, pasi kanë nivel të ulët intelektual dhe duan apo nuk duan ata, e vërteta është se kanë dalë nga sigla e PD.
Kujtojmë që pas përfundimit të procesit të konsultimit me anëtarësinë, kandidatët që konfirmohen nga anëtarësia, i nënshtrohen vlerësimit të Komisionit në fazën e tretë, ku secili anëtar voton bazuar kryesisht në vlerësimin e performancës politike të kandidatit dhe mundësinë e maksimalizimit të votës.
Pas këtij vlerësimi, rreth 300 kandidatë që do të kalojnë edhe fazën e tretë, lista i dorëzohet për vendimmarrje finale Kryesisë së Partisë Demokratike.