Ervin Salianji dhe Alfred Peza debatuan në A2 edhe për emërimin e Ridvan Bodes si anëtar të këshillit mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, një vendim ky i shumëdiskutuar në javët e fundit.
“Partia Socialiste e ka akuzuar për korrupsion Ridvan Boden, Edi Rama ka marrë votat duke thënë se Bode është i korruptuar. Për këtë mban përgjegjësi edhe para elektoratit të vet, pasi e kanë emëruar si përfaqësuesin e tyre ndërkohë që e quanin kryetar kooperative”, tha Salianji.
“Zoti Bode ka qenë 8 vjet ministër i Financave, ka qenë sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike. Por me këtë kulturë politike që kemi, mund të jenë thënë edhe gjëra të tilla. Por në momentin që ai brenda profesionit vazhdon karrierën, pasi Partia e vet e përjashtoi në mënyrë të turpshme, ky është luks i shfrenuar për këtë vend”, iu përgjigj Peza.
Përplasja Meta-Rama
Mosdekretimi i shkarkimit të Ditmir Bushatit dhe emërimit të Gent Cakajt si ministër i Jashtëm i Shqipërisë, që solli edhe përplasjen mes Presidentit dhe Kryeministrit, interpretohet ndryshe nga mazhoranca dhe opozita.
Ervin Salianji thotë se Meta e ka interpretuar si duhet Kushtetutën, pasi detyra e tij nuk është thjesht formale në dekretimin e propozimeve të Kryeministrit.
“Zoti Cakaj nuk ka çertifikatë sigurie dhe për më tepër nuk është deputet. Në një shtet normal, Rama duhet ta kishte çuar për ndjekje penale Cakajn, pasi ka 7 muaj në detyrë dhe nuk e ka marrë çertifikatën e sigurisë”, tha Salianji.
“Zoti Meta, emocionalisht tha se “nuk ma mbush mendjen”. Ky është precedent. Presidenti i Republikës ka kthyer nga vera e këtej, 12-13 dekrete. Thjesht po bën politikë dhe ka shkelur me të dy këmbët kushtetutën dhe herët a vonë Gjykata Kushtetuese do të ngrihet e do të përballet me të”, tha Alfred Peza.
Por nëse për Pezën Presidenti shkel Kushtetutën nëse nuk dekreton Cakajn, për Salianjin, Meta do të shkelë Kushtetutën nëse dekreton Ramën si ministër të Jashtëm. “Vetëm Enver Hoxha ka qenë edhe ministër i Jashtëm edhe Kryeministër. Presidenti, nëse e dekreton, shkel Kushtetutën. Edi Rama nuk mund të jetë edhe ministër i Jashtëm, edhe Kryeministër”, tha Salianji.