Opozita është dashuruar marrëzisht me datën 16-të. Për të, në kalendar ekziston vetëm kjo datë. Nuk ka as para as pas këtij numri magjik asnjë ditë tjetër. Është vija ndarëse e çdo muaji, dita e shpresës e kthyer gati si dita hyjnore. Është shndërruar në ditën e ankthit, gëzimit dhe kurajës për opozitën tonë.
Dita ku janë varur tërë ëndrrat e militantëve, të cilët ushqehen me idenë se këtu mbaron e fillon pushteti ndaj mos e ndalni marshimin për në Tiranë. Dhe në emër të kësaj marrëdhënie si fiksim për një ditë çudibërëse, çdo protestë kombëtare, e cila vlerësohet përherë si më gjigandja e çudibërësja, më e madhja, më e papara për nga pjesëmarrja, skenari, rezultati që do arrihet, ndryshimet që do sjelli, tronditjen që do shkaktojë në kupolën e pushtetit, miklimi dhe shpresat që u injektohen militantëve për t’i armatosur me entuziazmin dhe besimin se kjo do jetë dita e fundit e bandës së krimit, se sovrani, nënkupto protestuesit që do mbushin platenë për të dëgjuar liderët do marrë në dorë fatet e veta.
Qeveria do vejë për lesh në koshin e mbeturinave. Po të arrihet kjo të gjithë në Tiranë! Kjo qeveri ka nisur sipas Bashës në fjalimet e zjarrta numërimin mbrapsht, “tik-tak, tik-tak”. Refren që na kujton këngën e fatosave në kopshtet e dikurshme, ku fëmijët ndiheshin të lumtur brenda përparëseve të bardha me pëllumbat e qëndisur në jakat e shtrira nga gjyshet, që i shpinin përdore në këndin e lojnave.
Data 16. Të gjithë muajit këtej e tutje do të kenë vetëm një datë. Data16-të! Tërë shoqëria jonë do rrotullohet rreth kësaj date simbol, orbita rreth të cilës rrotullohen satelitët e PD dhe LSI-së, militantët e armatosur me shishe benzine, me molotov, me shkopinj e bomba tymuese.
Ku i dihet nesër në vijim të çmendurisë dhe urrejtjes pafund edhe me armë me plumba real. Basha ka llogari për të shlyer me ata që i kanë uzurpuar pushtetin dhe nuk e lejojnë të ngjitet në kolltukun e Kryeministrit që ëndërron ditë-natë. Dhe ai në datën simbol, ka vënë në shënjestër një individ të vetëm, llogarit një pengesë të vetme, Edi Ramën.
Sapo të largojë këtë shkëmb që i ka zënë rrugën, të nesërmen është kryeqeveritar dhe oborrtarët e tij janë ministra dhe funksionarë. Pikërisht ky është qëllimi i përqendrimit, i gjithë energjive në një ditë të vetme e cila po shndërrohet si një ditë “Haxhi” në Mekën mitike të opozitarizmit. Po shitet si një nga ditët lapidare, ku lideri lufton ta fusë patjetër në kalendarin e ngjarjeve të mëdha të këtij kombi.
Ai lutet që të ketë një ditë të vetën. Të ketë emrin e tij. Adresën, Tiranë, duke i shtuar edhe adresën e dytë Amsterdam-Holandë. Pas kësaj superdate të imagjinuar si vija ndarëse mes të keqes në pushtet dhe lumturisë dhe demokracisë në opozitë, beson të mbeten në hije ditëlindja e Krishtit dhe Muhamedit, krijimi botës, formësimi i Arbërisë, dita e lindjes së Skënderbeut, Dita e Pavarësisë, e çlirimit të Shqipërisë, ajo e fluturimit të kozmonautit të parë në hënë, dita e përmbysjes së sistemit komunist dhe formimit të PD-së, fitores së 22 marsit apo 20 shkurtit ditës së rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës. Kjo, data 16 nuk ka pikë krahasimi me gjithë të tjerat që kujtojnë historianët apo kanë memorizuar qytetarët. Asgjë para kësaj date nuk ka ndodhur. Ato janë minore, këtej nisë historia. Ditë- festat para kësaj date do mbeten vetëm në kalendarin e kohës si hije të ditës madhështore, datës epokale 16-të. Këtu fillon dhe mbaron historia për Lulin dhe Monikën.
Do lindë epoka “Basha-Monika”. Prej këtej nisin udhëtimet drejt të ardhmes së ndritur. Nuk është asgjë dita e ngritjes së çadrës. Ajo vetëm shkurtin ka të përbashkët. Edhe pse lideri i madh projektoi “Republikën e Re” dhe atje në 200 metër katror, krjoi Shqipërinë imagjinare, ngriti Kryeministrinë, Kuvendin, ushtrinë, policinë, projektoi rrugët dhe sheshet, shkroi ëndrrat më të guximshme.
Po ato ditë nuk do kenë më asnjë vlerë, ashtu si tërë ditët e tjera të kalendarit. Në piedestal do qëndrojë vetëm një datë. Ajo është 16-ta magjike. Në këtë datë është betuar se e nesërmja do jetë ndryshe. Demokracia do marrë frymë. Kriminelët në pushtet dhe oligarkët do bëjnë dorëzimet. Është një lloj ndërprerje përfundimtare prej nga nis udhëtimi i shpresës, i cili nuk mund të kuptohet pa këtë datë e cila në gjykimin e liderëve të opozitës do të jetë vija ndarëse e epokave.
Aq shumë janë investuar në këtë datë aq për zemër e kanë, jo vetëm liderët, po edhe periferikët, ata që janë në krye të protestave, sa mendohet prej tyre si kjo datë ndanë sistemet. Sipas tyre, këtej do nisë numërimi i shekujve dhe mijëvjeçarëve. Do nisi pikërisht me këtë datë, dita e parë e të vërtetës, gjykimi hyjnor, dita e shpresës së madhe për vegjëlinë e prijësve që kanë lënë pas shpine interesat e tyre, pasuritë e familjeve biologjike e politike në emër të masave të gjera që i mbajnë sytë tek ata.
Është kjo arsyeja kryesore që Basha i sinkronizuar me Monikën në shoqërinë Dules dhe Ndokës, Idrizit, Mediut ish ministrit të luftës ose Gërdecit e të tjerëve i janë ngjitur vetëm kësaj date. Ditë tjetër muaji për ta nuk ka. Është rrudhur vetëm me një ditë i gjithë muaji. Ashtu si kjo ditë është mesi i simetrik i muajit, po ashtu do jetë, mesi i artë edhe i dy epokave, njërës kësaj të errësirës që jetojmë dhe tjetrës së lumturisë që presim të na zbresin nga qiejt dashnorët e pushtetit.
Është pikërisht kjo ditë simbol e cila është kthyer gati si ditë vendimtare e fitores së madhe për të zbatuar strategjinë e vendimmarrjen, objektivat që i ka caktuar vetes fronti i bashkuar i opozitës për një arritje të paparë deri në largimin dhe fundin e Ramës.
Pikërisht se në të janë varur shpresat dhe është investuar tërë besimi, bëhen përgatitjet për marshimin e radhës dhe mblidhen militantët nga çdo cep i Shqipërisë, boshatisen bashkitë e PD dhe LSI-së të cilat mbyllin dyert dhe dritaret, lënë zyrat shkret, thirren nën armë militantët , të paguarit pritësit e posteve, vulëhumburit, bastexhinjtë, mbetësit e vettingut, të damkosurit, ata që kanë veshur kostumet e ministrave, drejtorëve të pushtetshëm.
Në selitë e opozitës projektohen policia e re dhe ushtria e gjeneratës tjetër. Pikërisht data 16-të po bëhet ciklike. Projektimi dhe përqendrimi i tërë energjive në një datë të vetme po i kthen muajit përmbys. Si ditë fillimi nuk është më data një. As dita e parë e javës nuk është e hëna si në tërë këto shekuj. Jo, gjithçka, këtej e tutje fillon me numrin supersticioz 16. Nuk do ketë ditë të tjera marsi, prilli, qershori, dhjetori. Nuk do fillojmë më numërimi nga data një. Këtej e tutje ditëfillimi i muajit do të jetë superdata 16-të.
Si çdo cikël në botën njerëzore dhe atë shtazore, po edhe në atë natyrore edhe Lulzim Basha me ortaken Kryemadhi, që bëjnë opozitën e vitit 2019, janë të fiksuar pas datës 16, e cila gati është shndërruar në një datë e vetme, veçanërisht tani pas dorëzimit të mandateve. Të gjithë pyesin: Arben N, nxënës i gjimnazit në Sarandë në kursin e anglishtes, pyeti profesorin se ç`përfaqësonte numri 16, me se lidhet kjo datë, ka ndonjë ngjarje të rëndësishme në ndonjë vend të globit? Po mësuesi u kërkoi nxënësve të përqendroheshin në mësimin e ditës. Edhe ai nuk e kishte të lehtë të sqaronte brendinë e simbolikën e kësaj date.
Mësuesi nuk përzihet me politikën. Po kurioziteti për këtë datë nuk është vetëm tek nxënësit e shkollës. Të njejtën pyetje bëjnë qytetarët, të rritur në radhë tek ZRPP, duke pritur certifikatën e pronësisë. Kureshtarë janë edhe tregtarët e peshkut, të cilët kanë marrë dhe ata një vendim që data 16 të jetë dita që do dalin të gjithë për gjueti. Në gjykimin e tyre ka zënë vend mendësia se kjo ditë duhet të jetë patjetër me bereqet. E vazhdojnë për ta kthyer këtë ditë në simbol të gjithë. Përjashtim nuk bëjnë as hajdutët që i kanë lënë mënjanë tërë ditët e muajit dhe kanë zgjedhur vetëm datën 16.
Ajo mund t’u sjellë fat përderisa edhe ëndërrimtarët e pushtetit e kanë shpallur shën dita. Pijetarët po ashtu kanë zgjedhur këtë datë për të shuar etjen me raki në kioskat e periferisë së qytetit. Blegtorët kanë shpallur 16-ën si ditën e blegtorisë, fermerët të gjitha punët i kanë lënë po në këtë datë. Të gjithë rendin drejt 16-ës, e cila presupozohet si dita e shanseve të mëdha e të sigurta. Përderisa liderët e opozitës, si përfaqësues të popullit e kanë përzgjedhur si ditëkalendarin më të rëndësishëm dhe e llogarisin si ditë triumfi, të gjithë kanë të drejtë të bëjnë të njejtën gjë.
Dhe tërë shqiptarët po bëhen me fiksime për datën që përthyen muajin, që kthehet si data më me peshë e preferuar e opozitës shqiptare po na ngjitë të gjithëve. Është bërë anektodike që para kësaj date shpallet fillimi dhe fundi nga opozita. Shpallet ditë rrugëtimi opozitar drejt pushtetit. Me dhunë dhe kërcënime, me molotov dhe forcë natyrisht. Shpallet falimenti qeveritar. Me dhjetëra herë Basha ka bërë paralajmërimin e fundit. Data 16. Dita e fitores së madhe. Në këtë datë do takohemi me Edi Ramën, jo në tavolinën e dialogut.
\
Nuk ka dialog me kriminelët. Sovrani do marrë në dorë fatet e veta. Dhe pasi këndon “Himnin Kombëtar” nis numërimin. Fillon pikërisht nga kjo datë numërimi. Është 16-ta e madhe. “Tik-tak, tik-tak”, reciton Basha dhe protestuesit e ndjekin në kor. “Ora ka filluar të numërojë mbrapsht për qeverinë e oligarkëve”, deklaron opozita. Dhe në këtë ditë të madhe në 16, ngado dëgjohen thirrjet. Në sfond uturinë britmat. Ora e fitores. Dita e fillimit, dita e fundit.
Jemi në 16 mars. Dita e rrëzimit të busteve të komunistëve si në një 20 shkurt. Është ora e triumfit. Ne jemi e ardhmja, ata janë e shkuara. Dhe militantët e injektuar me adrenalinë janë gati për sulm. Dhe rreshtohen molotovë hedhësit, shigjetarët, luanët, akrepat, delfinët, muskëtierët, gagarelët, të armatosurit me sfurqe, ngritësit e peshave, ngjitësit e lartësive në pemë, shtylla e minare.
Flakëhedhësit dhe poterexhinjtë nuk përmbahen. Dhe në fund, pasi oratorët zbrazin tërë llafollogjinë dhe e kanë dërrmuar, jo vetëm qeverinë dhe deputetët e krimit, u kthehen me topuz deputetëve më të rinj, atyre që kanë guxuar dhe i janë bashkuar “armikut”. Atyre, tradhtarëve të rinj. Bukëshkalëve. Injorantëve sikur ti kenë shënuar në lista ufot dhe jo Basha e Kryemadhi. Po mallkimet nuk mbeten vetëm kombëtare. Në shënjestër janë edhe ndërkombëtarët. Ata ca më shumë. Është data 16-të. Të tjera 16-ta do vijnë dhe në ditë të tilla opozita do zgjedhë të vijojë revolucionin. Do udhëheqë në truallin e vet, edhe pse është vetëm disa metër.
E njejta skenë, e njejta strategji, një rekuizitë, të njejtët dirigjentë. Të njejtat parulla dhe i njejti përfundim. Fundi i ditës vulos fundin e protestës. Po kurrë nuk mund të vendosi fundin e demokracisë. As pushtetin me dhunë. Mbi të gjithë opozitarët qëndrojnë vështrimet e rrepta të sovranit të vërtetët, jo atij imagjinar. Ngado ndriçojnë prozhektorët e ndërkombëtarëve.
Dhe data 16, shpallur nga Shën Basha, si data e triumfit, dita lapidare dhe hyjnore, mbetet vetëm një ditë në kalendar. Të tjera 16-ta do vijnë. Kush do jetë dita e fitores nuk e vendosin protestat e tërë datave 16-të të marra së bashku. Vota vendos. Ajo po, është fuqia e ndryshimit. Kjo është arma me të cilën duhet të luftojë Basha dhe Monika. Dhuna nuk i çon askund. Edhe sikur t’i mbledhin 16-tat e të gjithë shekujve që presim! /Nga Bardhyl BEJKO