Lulzim Basha ka ndezur një debat të fortë politik, pasi foli me emra dhe mbiemra për një grup të madh biznesmenësh, të cilat sipas tij, fitojnë të gjitha tenderët e qeverisë, koncesionet dhe çdo kontratë tjetër. Shumë u zemëruan, ndërsa shumë të tjerë mbetën të kënaqur që nuk ishin pjesë e asaj liste. Por pyetja që shtrohet është nëse ishte i sinqertë Basha në atë deklaratë? A ka një qëndrim me dy standarde nga PD për emra atë caktuar? Nga një kërkim i thjeshtë rezulton që po. Basha përmendi shumë kompani dhe biznesmenë të mëdhenj, por harroi Spitalin Amerikan dhe administratorin e tij.
Një ndër grabitjet më të mëdha që i është bërë shteti shqiptar është koncesioni i hemodializës. Edhe pse spitalet publike i kishin të gjitha mundësitë të ofronin këtë shërbim, qeveria i dha me koncesion Spitalit Amerikan koncesionin e hemodializës. Bëhet fjalë për një koncesion prej 86 milionë dollarë, i cili u fitua në mënyrë shumë të dyshimtë. PD ishte ajo që e denoncoi disa herë skandalin.
Deputetë, zëdhënës shtypi, përfaqësues të Komisionit të Shëndetësisë nuk linin ditë pa sulmuar qeverinë, por deri kur doli se pas këtij koncesioni fshihej Spitali Amerikan, u tërhoqën. Basha në prezantimin që bëri të hënën foli për emra që kanë përfituar fonde nga shteti, por nga të dhënat rezulton se Spitali Amerikan ka përfituar miliona e miliona euro.
Që nga koncesioni i hemodializës, te dhënia e ambienteve të Spitalit Ushtarak dhe te shumë elementë të tjerë. Basha përmend Vilma Nushin që përfitoi po një tjetër koncesion skandaloz, atë të check-up, por përse nuk futi në listën e oligarkëve Spitalin Amerikan? Pse nuk ja përmendi aspak emrin drejtuesit të spitalit? Dyshimet janë se Spitali Amerikan i Tiranës ka pronarë të tjerë. Emri i administratorit aktual është sa për publikun, por pas tij fshihen njerëz shumë të pushtetshëm dhe të lidhur me ish-qeverinë Berisha. Ishte ky i fundit që i hapi rrugën këtij spitali. Madje me gërshërë në dorë inauguroi godinën e parë. Berisha në vitin 2012 preku dhe fondin rezervë për llogari të këtij spitali.
Faktet
Ajo që e vërteton më së miri se pas Spitalit Amerikan fshihen pronarë të tjerë është se Komisioni i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, me Vendim Nr.59/18, datë 15.08.2018, marrë në mbledhjen e datës 15.08.2018, lejon blerjen nga spitali “American Hospital-Tiranë”, të 100% të aksioneve të spitalit “Hygeia Hospital Tirana Branch in Kosovo”. Por në vendim thuhet se pronar është “Balkan Alliance Healthcare-Hollandë”, me qendër në Holandë. Pra duket se fshihet dikush tjetër dhe nuk është administratori aktual ai që zotëron spitalin.
Burime të gazetës thonë se pronarë në të vërtetë janë njerëz që kanë qenë pjesë e kabineti qeveritar të Berishës, por dhe të afërm të tij. Kjo tregon se Basha sulmon ata që nuk janë në interes të PD dhe mbron ata që fshihen pas një spitali që ka rrjepur shqiptarët.
Koncesioni i hemodializës
PD sulmon koncesionet në shëndetësi, por në asnjë rast nuk ka përmendur Spitalin Amerikan. Koncesioni u fitua nga kompania “Evita” sh.p.k, e cila rezultoi një kompani fantazmë dhe pas së cilës fshihej vetë Spitali Amerikan, këtij subjekti ju dha koncesioni prej 86 milionë euro dhe bashkë me të dhe troje dhe ambiente spitalore. Në total Spitali Amerikan ka marrë 1.6 hektarë sipërfaqe tokësore.
Fitimet e tij shkojnë në 3 miliardë dollarë në vit. Kur flasim për oligarkë, atëherë pse ky subjekt nuk është në listën e PD? Ajo që duket qartë është se pas tij fshihen interesa të caktuara. /Kliti Topalli