Debati për kufijtë e Kosovës ka shkaktuar shumë reagime brenda dhe jashtë Kosovës.
Një ndër zërat kundër për termin korrigjim të kufijve ishte edhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Sipas Berishës, Kosova nuk i ka asnjë borxh Serbisë dhe se ajo nuk ka asnjë pëllëmbë toke të territorit të saj pasi e kundërta është e vërtetë.
Ndërkohë që edhe shumë eksponentë të politikës nga PD dhe jo vetëm, janë përfshirë në këtë debat, i vetmi që nuk ka reguar dhe që ka heshtur është kreu i PD –së Lulzim Basha.
Basha ka heshtur edhe pse Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi hodhi akuza të rënda ndaj Berishës.
Ndërkohë pati reagime të ashpra, nga deputeti demokrat Tritan Shehu, ish-Ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, nga aleatë të PD si LSI, Partia Demokristiane dhe jo vetëm.
Deputeti Shehu vlerësonte rolin e Berishës në të gjitha proceset që ka kaluar Shqipëria dhe Kosova.
Ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj tha se Presidenti kosovar, Hashim Thaçi, pas deklaratave për korrigjim të kufijve me Serbinë, duke përfshirë në territorin e Kosovës Luginën e Preshevës, gjendet përballë një presioni shumë të madh politik dhe publik.
Sipas tij, ka qenë pikërisht kjo gjendje e rënduar psikike që ka shtyrë Thaçin të artikulojë shumë të pavërteta në drejtim të ishKryeministrit Sali Berisha.
Pas akuzave të risjella për bashkëpunim të Berishës me ish-liderin e Jugosllavisë Milosheviç, Lëvizja Socialiste për Integrim është hedhur në sulm të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.
Përmes kreut të grupit parlamentar Petrit Vasili, kjo forcë politike e cilëson Thaçin si armik të shqiptarëve.
Edhe kreu i Demokristianëve të Shqipërisë, Nard Ndoka ka mbrojtur ish-kryeministrin shqiptar Sali Berisha, pas akuzave që ka bërë ndaj tij presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
“Ka ardhur koha që politikanët kosovarë që kanë marrë pjesë në luftë, të largohen nga politika, po bëjnë pis Kosovën dhe Shqipërinë”, ka shkruar Ndoka në rrejtet sociale.
Reagimet janë të shumta, por vetëm nga kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha nuk ka pasur asnjë qëndrim.
Që prej dy javësh, kohë kur u paraqit në publik, në një bashkëbisedim me gazetarët, Basha,nuk është dukur më në skenën politike.
Madje, ai është zhdukur edhe nga rrjetet sociale, duke i bërë kështu bllok, të gjitha situatave problematike në Shqipëri, për të cilat ai edhe është ngjirur, më herët duke thënë se është tejet i shqetësuar.