Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk kanë asnjë prej vendeve partnere që të mbështesin kauzën e vetingut në politikë. Kreu i PD, Lulzim Basha ka kërkuar që të skanohen gjithë politikanët dhe zyrtarët e lartë, por duket se të gjithë po dalin kundër idesë së artikuluar prej tij. Fillimisht, ka qenë SHBA që pak ditë më parë përmes zv/ndihmës sekretares së Shtetit, Elisabeth Millard u shpreh se zgjedh reformën në drejtësi si rrugën e vetme për të pastruar politikën nga krimi dhe korrupsioni. Ndërkohë që dje krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë rreshtuar edhe Gjermania dhe Britania. Teksa ishte e ftuar në një studio televizive ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schutz kërkoi që pastrimi i politikës të bëhet pas ngritjes së SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Sipas saj, nisma e propozuar nga opozita për një veting të politikës nuk duhet të çojë në bllokimin e vetingut në drejtësi. “Politikanët sikundër edhe çdo qytetar tjetër shqiptar të cilët mund të jenë autorë të veprave të ndryshme penale do të duheshin gjithsesi që të silleshin para drejtësisë dhe në një shtet ligjor për këtë ka procedura të mirëpërcaktuara juridike.
Ndaj mendoj se ajo që duhet bërë si hap i parë është bërja funksionale e procesit të vetingut që do të sillte pastaj edhe një drejtësi funksionale. Do të duhej të ngrihej sikundër e kemi thënë SPAK dhe Byroja Kombëtare e hetimit, në mënyrë të tillë që të mund të garantohej në një hap të dytë edhe vetingu në politikë. Më lejoni të plotësojë gjithashtu se diskutimet për idenë e vetingut brenda politikes nuk do të duhet të çonin në ngadalësimin apo në bllokimin e vetingut në drejtësi”, deklaroi ajo.
Gjermania: ILDKP bën vetingun në politikë
Ambasadorja gjermane theksoi më tej se vetingu në drejtësi nuk duhet të ngatërrohet me vetingun në politikë, teksa shtoi se raporti i pasurisë së politikanëve në Shqipëri bëhet nga ILDKP, si organi kompetent për këtë lloj vlerësimi. “Është mjaft e rëndësishme që për këtë qëllim të ndërtohen organet e duhura të sistemit të drejtësisë për t’u ndjekur edhe politikanët nga drejtësia, por thelbësore është të mos ngatërrohet vetingu në drejtësi me atë në politikë. Krahas kësaj mbi bazën e informacioneve të mia ekzistojnë në Shqipëri, mekanizmat e duhura për të verifikuar raportet pasurore të personave të rëndësishëm, si politikanët, si ILDKP, që është organi përgjegjës për këtë dhe rëndësi ka që këto informacione të mbledhura të bëhen transparente në rrugë elektronike që të jepet mundësia të bëhet krahasimi i raporteve pasurore dhe vlerësimi i këtyre raporteve sipas ligjit”, nënvizoi Schutz.
Edhe Britania kundër Bashës dhe Kryemadhit
Në të njëjtën linjë me ambasadoren gjermane, dje është rreshtuar edhe ambasador i Britanisë së Madhe në Tiranë, Duncan Norman. Gjatë një interviste për mediat, ambasadori Norman e quan propozimin e opozitës për veting në politikë interesant. Por ai theksoi se ndërkohë që ndodh vetingu në drejtësi dhe nis ai në polici, ti shtosh edhe një veting të ri atë në politikë këto momente, është e panevojshme.
“Unë mendoj se është një propozim interesant por në të njëjtën kohë duhet të shikojmë zhvillimet me vetingun në këto momente. Ka pasur shumë zhvillime që lidhen me vetingun e njerëzve të drejtësisë. Po ashtu po shikojmë se do të ketë edhe një veting në polici. Ne i kemi ndjekur detajet e këtyre zhvillimeve po ashtu edhe efektet që këto kanë në Shqipëri këto momente. Unë mendoj se vetingu në politikë është një ide interesante por kemi të bëjmë me faktorin kohë mbi të gjitha. Miksimeve të vetingut që po ndodhin t’i shtosh edhe një veting të ri atë në politikë, këto momente ndoshta nuk është diçka që Shqipëria ka nevojë”, deklaroi ambasadori Norman. /Rigels Seliman