Arian Çani komentoi zhvillimet e fundit politike në vend. Duke folur mbi takimin e fundit Meta-Berisha në Baku, Çani tha se dy politikanët nuk kanë luksin të merren me keqkuptime tani, pasi halli i bashkon.
“Nuk besoj se e kanë luksin tani të merren me këto keqkuptime, halli i bashkon. Është e vështirë ta kuptosh Metën, ai ndryshon humor. Një gjë është e sigurt, ai është i ri, me përvojë të madhe politike.
Ka bërë gafa, autogola dhe gola shumë në politikë. S’është njeri bardh e zi Meta. Është një personazh sa interesant dhe i paparashikueshëm. Nuk e di çfarë luhet dhe çfarë strategjie do zgjedhë Meta.
Nuk mendojë se do rrijë pasiv, do kërkojë të ketë një vend të rëndësishëm. Aleanca Berisha-Meta është me detyrim-përcaktim.
Të ndarë e kanë parë fatin e tyre. Të bashkuar, sado mund të krijojnë keqkuptime, janë më mirë se të ndarë. Të paktën deri në zgjedhjet e vitit tjetër, por unë besoj do jenë edhe më tej”, tha ai.
I pyetur mbi paralajmërimet e bëra nga kreu i PD Sali Berisha për protesta, analisti tha se ato duhet të bëhen me mençuri dhe jo nga politika. Çani vuri në dukje se situata në Shqipëri mbetet e qetë pasi janë cenuar pak interesa:
“Nuk jam kundër protestave, por kur ato zhvillohen në mënyrë spontane. Kështu të përgatitura, të lajmëruara një javë para, një muaj para, aq më tepër të organizuara nga parti politike nuk funksionojnë. Jashtë partitë politike nuk organizojnë protesta, ose sindikatat, ose shoqata të ndryshme.
Partitë punojnë mbrapa, pas kulisave. Duhen bërë protesta me shumë mençuri. Rruga e protestave është eksploruar. Mendoj që situata politike sot në Shqipëri është prapë e qetë. Karriera politike e atyre në opozitë është prekur pak. Në vende te tjera kanë ndodhur akte ekstra politike, janë vrarë njerëz.
Këtu s’ka vrasje të niveleve të larta. Kjo tregon që ose këta janë bashkë, mbrojnë njëri-tjetrin, ose me sa duket ende s’janë cenuar interesat. Do preferoja këtë rrugë, se sa protestat që janë një energji e çuar dëm, thjesht për të mbajtur me shpresë militantët. Nuk ka të humbur, përjashto Berishën të shpallur non grata”.
Lidhur me një rikthim të mundshëm të Bashës, analisti thekson se po s’pati vota nuk mund të kthehet, me gjithë ndikimin amerikan:
“Politika është gjithmonë e kthyeshme. Edhe në rastin e Bashës s’mund të themi që s’do kthehet më. Problemi është sa do të mbledhë me vete që të bëj thesin e madh me vota. Nëse do të rikthehet, do të rikthehet me një sforco, punë dhe investim të paparë. Jo amerikanët t’i thonë, por
Zoti të vijë s’ka ça të bëjë, po s’pati vota. Ju do shikoni sakrificat e mëdha që do bëjë Meta nëse do merret me LSI, investime të papara. Librin e Bashës nuk e kam lexuar, më kanë thënë që e ka shkruar diku tjetër”.
Çani komentoi edhe vizitën e Ramës në Kiev, duke e konsideruar një situatë haluçinante faktin që një vend i zhytur në borxhe si i yni, ndihmon në rindërtimin e një lagjeje në Ukrainë:
“I paparë, habit dynjanë. Një vend i zhytur në borxhe, në nivele të frikshme. Tani thotë që do ndërtojnë…I kanë dhënë autorizim vendet e Ballkanit Perëndimor. Nga lider lokal, tani lider rajonal, shumë shpejt s’keni parë gjë akoma.
Pak është një lagje?! Jemi në situatë haluçinante. Ai tallet atje. Sepse një vend i vogël shkon në një vend në luftë dhe thotë do ndërtoj një lagje, ky lajm shkon në të gjitha mediat ndërkombëtare. Ramës i bën mirë. Nuk i besoj këto, imazhi i Shqipërisë, janë bullshit. I bën mirë Ramës”.
Analisti nuk mendon se Rama synon një pozicion të rëndësishëm në NATO dhe UNESCO, por të jetë kryeministri ose presidenti i një Shqipërie të bashkuar:
“Janë llafe, janë strategji e re e Ramës, sepse në mandatin e tretë e kupton që pakënaqësia popullore është e madhe. Tani Rama e di mirë, që në një mandat të tretë dhe të katërt që pritet të marrë, me këto tenton të ulë pakënaqësitë. U thotë njerëzve s’jam i përjetshëm, do jem sekretar i NATO-s, drejtues i UNESCO-s.
Ëndërra e Ramës, këtë e kam bindje dhe indicje, është që të jetë një ditë president i shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës. Ai ëndërron të jetë presidenti, kryeministri, kancelari. Kur them Shqipëria i rri e vogël Ramës, nuk flas që ai të jetë sekretar i NATO-s”