Ish-presidenti Bamir Topi beson se maxhoranca nuk e ka rihapur këto vite 21 janarin, sepse dhunoi shtetin, atë ditë. I ftuar në Radar Informativ me Juli Xhokaxhi, Topi tha se politika kujtohet për ngjarjen tragjike vetëm më datën e përvjetorit. Ish-presidenti iu drejtua kryeministrit Edi Rama se fillimisht duhet të bëjë një gjyq politik, më pas të shkojë te drejtësia.
“Gjithçka që kam pasur për të folur për 21 janarin i kam botuar në një libër. Është një provë. Në respekt të pyetjes mund t’ju them që shoh që politika në përgjithësi dhe media kujton vetëm në datë 21 janar. Nuk e di a është kujtuar drejtësia, por 21 janari nuk ka thjesht një dimension tragjik. Në fund fare dhimbja vjen dhe koncentrohet te familjarët, të tjerat koha i fshin.
Ca ishte 21 janari? Së pari ishte precipitimi me mjete dhune dhe me vrasje i një përplasje politike. Pra është politika në fokus dhe pas 11 viteve rezulton prap kështu. Është po politika që merr përsipër të zbardhë ngjarjen. Vetëm sot kam dëgjuar kryeministrin që ka larë duart. Unë i them a është bërë gjyq politik për 21 janarin?
Dëshiroj të ma thotë. Unë them që është bërë dhe gjyqi politik për 21 janarin nuk ka pasur të bëjë me viktimat se ata morën rrugën e tyre. Gjyqi politik filloi me ngritjen e një komisioni hetimor. Ajo që është tragjike ku rrënohet përfundimisht besimi është që vetë maxhoranca e sotme nuk i është rikthyer gjyqit politik në Kuvend. Ne nuk kemi pritur nga Rama që të orientojë organet e drejtësisë.
Nga Rama është kërkuar…pas 11 vitesh kam të drejtë të time pse nuk është rihapur në parlament një gjyq politik. Sepse në atë kohë është dhunuar shteti, është sulmuar presidenti, kryeprokurorja, media. 21 janar duhet të rikthehet në një dimension real. Problemi është nëse një shtet, ata që janë na maxhorancë, që kanë një pikëpyetje të madhe duhet ti rikthehen me kurajo. Kur politika të ketë bërë gjyqin e vetes kanë të drejtë të flasin që kemi një reformë drejtësie”, tha Topi.