Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla në kuadër të turit të konsultimeve, ishte sot në Bashkinë e Gramshit ku folur për ngërçin politik.
Gjatë takimit Balla tha se situata e krijuar, jo vetëm nuk ka asnjë mbështetje ndërkombëtare, por mbi të gjitha dëmton rrugën europiane të Shqipërisë dhe lë pa përfaqësim një pjesë të mirë të qytetarëve shqiptarë.
Për Ballën halli i Lulzimit janë institucionet e reja të drejtësisë që po ngrihen.
“Sali Berisha, i biri i tij politik Lulzim Basha dhe Zonja e Parë Monika Kryemadhi sot sulmojnë Kuvendin, shkojnë deri aty sa të sulmojnë edhe deputetët e PS, teksa shkonin në Kuvend për të votuar strukturën e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që këto institucione të mos ngrihen, që këto institucione të mos zgjedhin Prokurorin e Përgjithshëm; por ne nuk tërhiqemi.
Arsyet pse Lulzim Basha qëllon me gurë dhe bomba molotov institucionet e shtetit, nuk kanë të bëjnë me ne, por me hallet e tij me drejtësinë. Por një gjë është e sigurt, drejtësia e re që po lind do t’i rihapë të gjitha dosjet e korrupsionit.
Sot është momenti që ne të flasim me të gjithë. Të flasim me ata 6 mijë votues këtu në Gramsh që sot ndihen të pa përfaqësuar në institucionin e themelit të demokracisë, në Parlament. T’u themi: “Ata ju tradhtuan, por ne jemi të gatshëm t’u përfaqësojmë.”- theksoi Balla.