Pas mbledhjes së djeshme të Kryesisë së PS, ku edhe u dakordësua për emrin e Presidentit të ri të Republikës, strukturat kanë nisur përgatitjet.
Gjeneral Bajram Begaj ka dhënë sot dorëheqjen nga posti i Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura. Kërkesa e tij i është dërguar ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi dhe kryeministrit Edi Rama.
Pak orë më parë këtë informacion e ka konfirmuar edhe Taulant Balla, i cili është shprehur se pritet që në minutat dhe orët në vazhdim, dhe Presidenti Ilir Meta të firmosë lirimin nga detyra të gjeneralit që do të jetë pasardhës i tij.
“Kandidati për President ka depozituar te Ministri i Mbrojtjes dhe Kryeministri kërkesën e tij nga detyra e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Forcat e Armatosura. Ligji për Forcat e Armatosura parashikon se ushtarakët duhet të japin dorëheqjen para se të zgjidhen.
Kjo procedurë do përfshijë brenda minutave në vijim dhe Presidentin e Republikës aktual. I cili duhet të bëjë dhe lirimin dhe kjo nuk do jetë një betejë e radhës me Presidentin aktual. Megjithatë, ne kemi menduar dhe mënyrën e zgjidhjes së këtij ngërçi nëse na krijohet”, u shpreh Taulant Balla, kreu i Grupit të PS.
Por Presidenti Ilir Meta, përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, i ka përshëndetur me pamje nga kryeqyteti i Turqisë, Stambolli duke nënkuptuar se ndodhet larg realitetit të Shqipërisë. Tashmë të gjithë po presin Metën, i cili nuk dihet nëse mund t’ju shkaktojë një vonesë në procedurat e dokumenteve në zgjedhjen e Presidentit të ri.