Gazetari Ilir Babaramo në një lidhje ‘skype’ për emisionin ‘Përballje’ me gazetaren Besmira Pelushaj teksa foli për braktisjen e Berishës në protestën e tij më të fundit të organizuar para kryesisë së Kuvendit, rrëfeu edhe një episod dhune nga një militant i Berishës ndaj ministrit të Jashtëm në vitin 1999.
Pavarësisht se Babaramo nuk përmendi emrin e ministrit, sipas historikut të qeverive shqiptare, rezulton që asokohe ministër i Jashtëm ka qenë Paskal Milo. Gazetari tha se pushteti i Berishës ishte tek militantët e dhunshëm që i mblidheshin në protesta.
“Berisha e ka humbur mbështetjen prej kohësh që në përplasjen e parë që ka pasur brenda radhëve të veta, me Neritan Cekën e me rradhë, pushteti i Berishës ishte tek pjesa e mitingdashësve shpesh të dhunshëm që përcaktonin se kush do ta merrte lidershipin e PD-së.
Deklarata e tij e vitit ’98 ku thoshte se mjaftojnë çunat e Lacit dhe të Mamurrasit për të marrë pushtetin tashmë nuk vlen më sepse edhe ata kanë ikur atje ku është paraja.
Mjafton të shikoni njërin, del e bën si intelektual e hiqet si pronar trojesh. Ai ka qenë një ndër Izetët e Berishës që rrihte kundërshtarët politikë të tij.
Kam qenë vetë i pranishëm kur isha reporter, e kam parë me sytë e mi kur ministrin e Jashtëm të vitit 1999 në hollin e hotelit kryesor në Bruksel e ka rrahur në mënyrë barbare. Një zotëri burrë, të rrihej në atë mënyrë…”- tha Babaramo.