Ish-deputeti dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike në Tropojë, Azgan Haklaj ka lëshuar dje një deklaratë të fortë, ndërsa akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha se po përgatitet të sulmojë selinë e PD-së.
Ditët e fundit në korridoret e politikës dhe jo vetëm, flitet se ish-kryeministrin Berisha ka porositur besnikët e tij që pas shkarkimit që do t’i bëjë Lulzim Bashës nga drejtimi i Partisë Demokratike, të hidhen në sulme dhe të pushtojnë selinë blu. Por dje detaje rreth këtij skenari ka hedhur ish-deputeti Haklaj.
Ky i fundit teksa ditën e djeshme ishte i ftuar në një studio televizive, theksoi se Berisha po përgatitet të sulmojë selinë e PD më 12 dhjetor, ndërsa sipas tij, me organizmin po merret deputeti demokrat, Flamur Noka, i cili po karikon militantët për planin ogurzi.
“Dua t’i bëj me dije Bashës, kryetarit të zgjedhur, ambasadës së SHBA, se Arkani i Berishës, zoti Noka po organizon strukturat për të pushtuar selinë e PD në datën 12 dhjetor. Nga informacionet që kam unë dhe kjo shkon dhe në akord, do pushtojë selinë e PD dhe të PS.
Nga Tropoja Berisha tha që ne jemi ortek. Ai u kthye në Tropojë për t’i kthyer zonjës ambasadore të SHBA përgjigje. Sulmon në mënyrë të pacipë binomin Blinken-Yuri Kim. Ai tha “po të doja unë e hiqja për 2 orë emrin tim “non grata”. Po si mund ta hiqte ai?”, deklaroi ai.
Haklaj: Berisha të kërkojë falje për vrasjen e Hajdarit
Por nuk ndalet me kaq, pasi ish-deputeti Azgan Haklaj ka akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha se është një politikan hipokriti, që sipas tij, minimalja që duhet të bënte është ndjesa për shumë krime të pazbardhura që kanë ndodhur në Tropojë, apo edhe vrasja e ish-deputeti Azem Hajdari.
Madje zoti Haklaj theksoi se 11 dhjetori, data që ish-kryeministri ka thirrur për të mbajtur Kuvendin, do të jetë apokalipsi i Berishës. “Ai duhet të kërkonte falje për krimet që nuk janë zbardhur për dosjen Tropoja. Po ashtu ai duhet të kërkonte falje për vrasjen e deputetit Hajdari. Berisha po i bën përdorim të paskrupullt që po i bën çështjes Hajdari. Zoti Basha mori një vendim të vështirë.
Berisha po përdor një strategji tjetër, duke publikuar disa firmëtar, duke i quajtur të guximshëm që shpallen për Kuvendin e 11 dhjetorin. 11 dhjetori është apokalipsi i Berishës”, u shpreh ai.
Ndërkohë zoti Haklaj akuzoi ish-kryeministrin Berisha se nuk ka asnjë projekt për të bashkuar Partinë Demokratike dhe shqiptarë, pasi sipas tij, ai udhëhiqet vetëm nga parimi shantazho dhe intrigo kundërshtarët.
“Nuk isha. Ai e quajti atë vend Malësi e Gjakovës, pasi Tropojë është sllavishte. Kur ishte president dhe kryeministër, nuk u kujtua që të hiqte emrin Tropojë, një trevë që ka përcaktuar faktin e shqiptarëve dhe të demokracisë. ai shkoi në Malësinë e Gjakovës me triumfin e madh se ishte andej me prejardhje.
Ai tha se pse duhej të ishte ai tra në Kukës, ndërkohë që ka qenë vetë një nga ata që ka hedhur idenë. Është e vetmja foltore ku Berisha nuk kërkoi falje. Pasi në të gjitha foltoret ka kërkuar falje. Ai nuk ka një projekt-ide, apo platformë të radhës. Ai ka një strategji të gërshetuar me intrigë, blofe, intimidim”, nënvizoi ish-deputeti i PD, Azgan Haklaj. /Rigels Seliman