-Avokat Ngjela, thuhet se SPAK, përpos ‘rrjetës së madhe’ të hetimit të nivelit të lartë, ka edhe probleme të brendshme. Ka zëra se do të ketë edhe shkarkime dhe emërime të reja brenda kësaj strukture. Si e shihni këtë situatë?
Edhe unë jam në dijeni të këtij informacioni. Ma kanë thënë me kohë që ka disa individë brenda në SPAK, të cilët janë të korruptuar. Nuk e di mirë, tre a katër persona por janë individë të korruptuar e budallenj, se si mund të korruptohesh ti në SPAK. Këto janë nga ato persona që jo vetëm erdhën e shkatërruan jo vetëm drejtësinë, por edhe shoqërinë shqiptare e akoma vërtiten. Janë të gjithë ata hajdutë që hoqën nga sistemi gjyqësor dhe Prokuroria dhe nuk i kanë arrestuar. Pse i mbajnë jashtë. Tani të shohim se çfarë do të bëhet.
-A ka ndikim Meta, Berisha dhe Rama mbi prokurorët e SPAK-ut?
Jo jo, fare absolutisht.
-Si e patë takimin e Ramës në Greqi?
Vizita e Ramës në Greqi, ishte pozitive për karakterin shqiptar të kohës. Kjo tregoi që forca që po merr Shqiptaria, dy shtetet shqiptare në Ballkanin Perëndimor i ka tulatur edhe armiqtë tonë në funksion të tokës, siç është Greqia. E cila u tërhoq dhe mbajti qëndrim neutral. Madje, nuk iu kundërvua fare kryeministrit Rama në një kohë që ai goditi ashpër në Athinë duke iu thënë që keni marrë territoret shqiptare. Nuk ka rëndësi shumë përmbajtja e fjalimit të Ramës që ishte patriotik ose në funksion të historisë së Shqipërisë, por fakti që Greqia nuk u kundërvu. Kjo tregon se Rama nuk shkoi në Greqi vetëm me mendimin e tij, por shenjat janë që ka shkuar dhe me mendimin amerikan.
-Pra ju e përshëndetini këtë vizitë…
Dy kanë qenë qendrat e goditjes së Shqipërisë, Kosova dhe Çamëria. Kosovën e morëm. Rama tregoi se do të fillojë çështja Çame. Faktet janë këto, por po të flasim për gjëra të tjera, është fantazi. Rama e foli njëherë para dy vitesh këtë gjë dhe grekët na sollën ushtrinë këtu. Rama e përfshiu energjikisht këtë çështje. Përse? Të shikojmë se ku e ka mbështetjen Edi Rama. Ku e gjen fuqinë që të hyjë e të dalë në konflikt me Greqinë? Në Uashington, mendoj unë.
-Ndërkohë pas kryeministrit Kyriakos Mitsotakis e anëtarëve të kabinetit të tij, një reagim ka ardhur edhe nga Dora Bakoyannis, ish-ministre e Jashtme në Greqi, por edhe motra e kryeministrit aktual, Kyriakos Mitsotakis. Kjo e fundit ka sfiduar hapur Ramën, teksa theksoi se Greqia ka më shumë ndikim mbi emigrantët shqiptarë se sa kryeministri i Shqipërisë. Keni një koment?
Disa vite ka që emigrantët shqiptarë po trajtohen si njerëz. Me kë flet Bakoyanis? Nënën e ka shqiptare ajo, Marika e ka emrin, e di unë. E kemi takuar njëherë në Kretë”, u shpreh Ngjela ndër të tjera.
-Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama në një deklaratë të gjatë sa i takon drejtësisë tha se përveç djalit nuk mbaj askënd të mbrojtur para drejtësisë. Si e pe fjalimin e Ramës?
Kryeministri Rama, juridikisht ka të drejtë pasi përgjegjësia është personale. Sot nuk ka përgjegjësi kolektive, vetëm në komunizëm kishte diçka të tillë e kishte krijuar psikozën e fajësisë familjare. E kjo gjë nuk u vazhdua më në Shqipëri edhe pse ditët e sotme ka shenja tek-tuk pasi nuk ka ikur ende ajo frymë, po djali i këtij apo vajza e atij, kemi gjëra të tilla që vijnë nga e kaluara komuniste, por Rama u përgjigj shumë mirë.
-Ndërkaq le të ndalemi tek disa ngjarje kriminale që kanë ndodhur së fundmi. Një ngjarje tronditëse që nuk është dëgjuar më parë në Shqipëri, në kufijtë e të pabesueshmes, ka ndodhur në Shkodër. Dhuna në familje është bërë shkak që nëna me 3 fëmijët t’i japë fund jetës, pasi dyshohet se janë vetëmbytur në lumin Bunë pranë Darragjatit. Keni një koment?
Është vrasje. Nuk është vetëvrasje. Vetëvrasja si rregull lë një shenjë. Ku ka nënë që vret fëmijën dhe nuk tregon arsyen? Po pra, duhet t’i kenë vrarë dhe hedhur atje. Por fakti që nuk ka shenja vrasje, do të thotë se janë mbytur në mënyrë të justifikuar. Këto i nxjerr autopsia, por deri tani autopsia ka heshtur, nuk ka nxjerrë shkakun. Nuk e dimë shkakun e vdekjes së 4 personave. Nuk mund të mbyten fëmijët bashkë me nënën. Në 99% është pamundësi absolute. E dyta duhet të dimë shkakun përse nëna vret fëmijët. Zakonisht, kjo në termin profesional të hetimit është hakmarrje ndaj burrit. Për të ditur pse, duhet të dimë çfarë konflikti kanë pasur bashkë.
Intervistoi: Xhoana Vraniçi