Pak ditë pas arrestimit, i akuzuar për më shumë se 12 vrasje Nuredin Dumani vendosi të bashkëpunojë më SPAK, dhe nga dëshmitë e tij u zbuluan shumë ngjarje të rënda kriminale dhe priten gjithashtu të dalin në dritë edhe disa të tjera, pas të cilëve fshihet edhe politika si urdhëruese e tyre.
Përmes një statusi në Facebook, avokati i njohur Spartak Ngjela ka komentuar dëshmitë e Dumanit të dhëna për SPAK. Ngjela ka hedhur një tezë të fortë, që deri më tani nuk ishte përfolur: vrasjen e politikanëve.
Avokati shkruan në rrjetet sociale për disa nga ngjarjet më të rënda që kanë ndodhur në politikë, vdekjen misterioze të ish-ministrit Sokol Olldashi dhe atë të dëshmitarit të Gërdecit Kosta Trebicka, për të cilat fton SPAK që të marrë në pyetje të penduarit nëse kanë marrë pjesë në këto vrasje të supozuara.
“Këta që janë sot nëpër procesin Dumani, dihet se të gjithë kanë qenë vrasës me pagesë. Po vrasje politike, a kanë kryer këta? Kjo ende nuk dihet, por, në lidhje me këtë aspekt ngrihen këto pyetje: Këta vrasës me pagesë, a kanë marrë pjesë në vrasjet politike të dyshuara përgjatë këtyre njëzet viteve të fundit?
E pra, është i vrarë Sokol Olldashi? Është i vrarë Trebicka?”, shkruan avokati. Sipas Ngjelës, vrasësit me pagesë kanë ushtruar “profesionin” e tyre prej vitesh dhe dëshmia e Dumanit priten të zbulohen një pjesë e mirë e tyre që kanë bashkëpunuar me të penduarin në shumë ngjarje të rënda kriminale.
“Çfarë po ndodh me vrasësin e shumëfishtë Nuredin Dumani i arrestuar e në proces penal dhe, gjithashtu, edhe vrasësit e tjerë me pagesë, në këtë kohë kur këta vrasës janë në pendim e po denoncojnë si deponime fakte rrëqethëse për këtë krim? Ajo që po vihet re është një fakt i ri: janë rreth dhjetë vrasës me pagesë që po rrëfejnë krimet e tyre si të penduar, dhe po kuptohet se goditja antikrim në Shqipëri po hyn në një fazë të re.
Dhe procesi kuptohet që do të vijojë, sepse të penduarit njohin mbi 70 për qind të individëve të grupimit aktual “vrasës me pagesë”, që kanë vepruar në Shqipëri”, shkruan Spartak Ngjela.
Ngjela: Vrasësit me pagesë bëjnë punët e pista të korrupsioni shtetëror
Për Spartak Ngjelën vrasjet me pagesë janë futur në vendin tonë pasi ata kanë bërë punët e pista që iu janë kërkuar nga korrupsioni shtetëror. Po ashtu avokati deklaron se vrasësit me pagesë po kthehen në fenomen dhe po behët biznes shumë fitim prurës.
“Kjo ka qenë historia rreth 30 vjeçare e krimit të vrasjes me pagesë edhe në Shqipëri, sepse, ky lloj krimi, me anë të korrupsionit shtetëror, duke paguar, ka hyrë në treg, në investime dhe në koncesione duke blerë administratën e lartë shtetërore me paratë e krimit.
Dhe, për të sqaruar këtë, duhet të kuptohemi se: vrasja me pagesë, kur ajo kthehet në fenomen, bëhet biznes fitimprurës që kalon me stade: nga krimi i rrugës, te krimi i organizuar dhe, nga krimi i organizuar te bashkëpunimi i tij me korrupsionin shtetëror”, shkruan avokati.
Avokati: Korrupsioni shtetëror bashkëpunon me krimin e organizuar
Gjithashtu avokati i thekson se deklaron se më i fituar se vrasësi me pagesë është ai që e porosit krimin, pasi ka hequr qafe rivalin e tij. Ngjela shkruan në rrjetin social se pasi korrupsioni shtetëror bën shkelje t e para, ai bashkëpunon më krimin e organizuar dhe e përdor këtë të fundit për interesat e veta.
“Por ajo që është më thelbësore në këtë lloj krimi, nuk është i paguari që vret, por paguesi që kërkon të vrasë armikun ose rivalin e tij në politikë, në tregti, në biznes apo në investim. Dhe duhet të kujtohemi ndërkaq se: i korruptuari i politikës së lartë është i ndërgjegjshëm që ka hyrë në krim, qëkurse ky ka marrë ryshfetin e parë për të dhënë një leje ndërtimi, një koncesion apo një licencë shtetërore për aktivitet ekonomik.
Gjithkush mund të paguajë për një licencë shtetërore, por vjen një kohë që, për këtë, fillon e paguan edhe krimi i organizuar. Por, prandaj, pikërisht këtu, fillon hapi i përbashkët i bashkëpunimit të korrupsionit të lartë shtetëror me krimin e organizuar”, deklaron ai.
Ngjela: SPAK ka mundësinë të shpëtojë Shqipërinë nga krimi
Bazuar në dëshminë e Dumanit dhe disa bashkëpunëtorëve të tij, për Ngjelën kthehet si një shans për SPAK, që ta shpëtojë Shqipërinë nga krimi gjigant. “Ata po denoncojnë ndodhi kriminale të tmerrshme, sepse e njohin shumë mirë fenomenin e vrasjeve të shumëfishta e të paguara. Në këtë vorbull krimi, SPAK i ka të gjitha mundësitë e një hetimi të përgjithshëm e të suksesshëm për të shpëtuar Shqipërinë nga ky krim gjigant”, shkruan avokati.