Emërimi i Zëvendës/ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer si përfaqësues i posaçëm në Ballkanin Perëndimor duhet të frikësojë politikanët shqiptarë të lidhur me Rusinë. Paralajmërimin e dha ditën e djeshme avokati Spartak Ngjela. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, Ngjela deklaroi se është e qartë që tani Palmer do të luftojë kundër ndikimit të Moskës në Shqipëri dhe do të vërë nën kontroll filo-rusët.
Duke cituar fjalët e Palmer, që vendi ynë është një target i vështirë për Rusinë, avokati theksoi se të gjithë të korruptuarit shqiptarë e kanë kthyer kokën nga rusët. Por ai shtoi se me detyrën e re që ka marrë Palmer gjërat do të ndryshojnë dhe hovi i Rusisë për të ndikuar në Ballkanin Perëndimor do të ndërpritet. “Me emërimin e tij lufta kundër korrupsionit do të ndryshojë, do të jetë më e fortë. Ky vendim do të ketë ndikim. Thelbi i këtij vendimi është ajo që ka thënë Palmer: Targeti rus për Shqipërinë është shumë i vështirë. Ka ardhur se këta janë të shitur te Moska të tërë. Shumica e pushtetarëve janë të shitur tek Rusia, në Beograd dhe në Athinë. Moska paguan edhe media në Shqipëri. Por Palmer ka thënë që targeti rus për Shqipërinë është shumë i vështirë. Tani që ka ardhur do ta drejtojë ai vetë luftën kundër Rusisë në Ballkanin Perëndimor, luftën kundër korrupsionit në nivele të larta. Kjo është teza ime”, deklaroi Spartak Ngjela ditën e djeshme për gazetën.
Prej disa kohësh përflitet se Rusia po tenton të zgjerojë ndikimin e saj në Ballkan, duke vënë nën shënjestër edhe Shqipërinë. Madje, pati zëra se pas protestës së opozitës dhe skenarëve destabilizues të saj fshihej Moska. Më të akuzuarit janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta sepse janë ata që bëjnë më shumë thirrje për trazira, edhe pse e dinë se këto skenare i shërbejnë planit të Rusisë. Në fakt, alarme për ndikimin rus në Shqipëri dhe qëndrimin pas protestave të opozitës e kanë dhënë shumë zyrtarë të lartë ndërkombëtarë. Ish-nëndrejtori i FBI, Mark Rossini para disa kohësh tha se Rusia po përdor protestat e opozitës për të shkaktuar përçarje në Ballkan. “Protestat që po ndodhin sot janë të thirrura nga Sali Berisha i ndikuar nga Rusia. Ai dhe familja e tij e kanë humbur fuqinë. Nëse SB merr pushtetin, Putini do të kalojë nëpër Kosovë dhe Shqipëri. Putini merr qasje në portin e Adriatikut. Mendoni për këtë. Shqipëria, vendi i fundit në Adriatik për t’u bashkuar me BE-në, që është qëllimi i Merkelit dhe Ramës dhe ajo çfarë dëshirojnë të gjithë shqiptarët. Putini dëshiron të shkatërrojë BE-në, pasi Shqipëria në BE, refuzon qasjen e tij në port. Pse Berisha është kukulla e Putinit? Po luan në favorin e tij duke bërë atë protestë”, tha Mark Rossini. Nga ana tjetër, edhe vetë kreu i NATO, Jens Stoltenberg paralajmëroi për tentativat e Rusisë për të shtrirë ndikimin në Shqipëri duke përdorur krizën politike. “Mosmarrëveshjet politike janë pjesë e demokracisë, e papranueshme është dhuna, prandaj iu bëj thirrje që të respektoni institucionet. NATO është e bazuar te shteti ligjor, prandaj çdo mosmarrëveshje duhet të zgjidhet me dialog, zgjedhjet janë një çështje themelore, prandaj iu bëj thirrje të gjithë aktorëve politik që të bëhen pjesë e tyre. Ne kemi parë përpjekje të Rusisë për tu përfshirë në çështje të ndryshme te disa vende”, tha Stoltenberg gjatë një vizite në Tiranë. Po ashtu, në raportin vjetor të Shërbimit Informativ Shtetëror pranohej përpjekja e Moskës për të ndikuar në vendin tonë. Si duket, duke parë gjithë këtë situatë të krijuar, sidomos pas krizës politike, e cila i dha goxha hapësirë Rusisë të shtrinte zgjerimin e saj, amerikanët kanë marrë vendimin që Matthew Palmer të emërohet përgjegjës për Ballkanin Perëndimor. Me emërimin e tij pritet që të vihet nën kontroll ndikimi i rusëve. /Mimoza Ibra