Ish-truproja e Sali Berishës, Izet Haxhia, i akuzuar për vrasjen e Azem Hajdarit, ka depozituar një rekurs në Gjykatën e Lartë, ku kundërshton vendimin e dhënë në 31 tetor të vitit të kaluar ku Gjykata e Apelit të Tiranës e shpalli fajtor duke e dënuar me 21 vite burg.
Avokati i tij Idajet Beqiri, në një intervistë për mediat dje u shpreh se ato kërkojnë që Izet Haxhia të marrë pafajësinë pasi është i pafajshëm. Sipas Beqirit, Sali Berisha është personi i cili ka nxjerrë në pritë Azem Hajdarin.
“Prokuroria gjeti shkelje të rënda gjatë procesit. Ishin prova dhe për ne! Dëshmitari kryesor ai që e zbërthente procesin ishte Sali Berisha. Pozitën e Izet Haxhisë e kishte në dorë Sali Berisha. Gjykata e Apelit mbylli sytë dhe çështjen e morën në dorë 3 gjyqtare të reja. E la në fuqi vendimin duke bërë një arsyetim, një histori dhe banalizohet ajo histori se çfarë ka ndodhur dhe çfarë jo. Tani problemin e pafajësisë së Izet Haxhisë jemi të bindur se duhet të na e japë Gjykata e Lartë.
Nga gjithë përmbajtja e asaj dosje, vetë dëshmia e Sali Berishës e nxjerrë të pafajshëm Izet Haxhinë. Sali Berisha thotë se e nxori në prit një punonjës i SHISH. Gjykata e Lartë ka marrë dosjen, është hedhur në short.
Shikon tek ai short që i ka rënë jo një çetë e kapur nga politika. Ai ka një besim që çështja do të shikohet me objektivitet. Vrasja nuk është zbardhur. Nëse nuk do të ishin veprimet aktive të Sali Berishës nuk do të ishte vrarë Azem Hajdari. Në prite Azem Hajdarin e nxori Sali Berisha”, deklaroi ai. Po ashtu, zoti Beqiri tregoi se si mund të ishte shmangur eliminimi i ish-deputetit Azem Hajdari.
“Nëse ai nuk do të ishte i interesuar që mos bëhej ajo vrasje, ai do të kishte bërë një gjë, po të kishte marrë policinë se ato janë në pritë dhe ta verifikojnë, do të ishte parandaluar vrasja. Kemi bindjen se Gjykata e Lartë, se Izet Haxhia do të marrë pafajësinë. E meriton pasi nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e Azem Hajdarit”, nënvizoi Beqiri.
Kujtojmë se Izet Haxhia akuzohet se në maj të vitit 1998, ka vrarë me armë zjarri ish-deputetin demokrat, Azem Hajdari. Vendimi për dënimin e tij me 21 vite burg u mor nga gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës në shkurt të vitit 2022, por ish truproja e Berishës e ankimoi në gjykatën e Apelit ku më pas në tetor u la në fuqi i njëjti vendim. Ai u dënua për veprën penale “vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”.