Avokati i Vangjush Dakos ka hedhur dritë mbi akuzat ndaj klientit të tij. Teksa Prokuroria e Posaçme është në terr informativ dhe nuk jep asnjë informacion zyrtar, Petrit Ismaili, në një deklaratë për mediat tha se Dako akuzohet për “shpërdorim detyre” në dy raste.
Ai tha se procedimi i parë ka të bëjë me padinë e një grupi banorësh për abuzime me lejet e ndërtimit të një pallati. Pra për ata që është raportuar sot, ku dyshohet se janë dhënë leje për 4 kate tepër në një pallat, i cili u dëmtua gjatë tërmetit.
Nga ana tjetër, ai tha se ka dhe një padi të bërë nga deputeti demokrat Ferdinad Xhaferaj. Avokati foli dhe për arrestim nën trysninë e politikës dhe ndërkombëtarëve.
“Sapo u ekzekutua vendimi i gjykatës që ka vendosur arrest me burg për zotin Dako. Është një akuzë për shpërdorim detyre në dy raste. Një rast është një kallëzim i një grupi banorësh për kolaudimin e një pallati në qendër të Durrësit. Dhe një kallëzim është në prag të vitit 2021 nga zoti Ferdinand Xhaferri, në atë kohë kryetar i PD dega Durrës.
SPAK nuk po mban dot ekuilibër nën trysninë mediatike, të politikës dhe ndërkombëtarëve dhe nën këtë trysni po merr masa të nxituara. Në këtë rast as për pasojat, as për kohën e kryer të veprës penale, as për qëndrimin e zotit Dako, nuk ka qenë fare e nevojshme masa e arrestit me burg”, tha ai.
Më tej avokati tha se Dako është vetëdorëzuar në polici. Sipas tij, vendimet janë kolegjiale dhe Dako nuk ka marrë vendim individual.
“Pasi doli në media se ka një urdhër-arresti, e kam njoftuar unë policinë. Dako ka qenë në Tiranë dhe kemi shkuar bashkë në polici. Jemi në kushte e vetëdorëzimit. Dako ka qen në kontakt me autoritet e SPAK. Janë vendime kolegjiale sepse janë vendime në fushën e ndërtimit”, tha ai.
Por ajo që ka ndodhur sot është se ka një terr informativ nga SPAK. Ende nuk ka një deklaratë mbi akuzat zyrtare të Dakos. Gjatë gjithë ditës vetëm është aluduar dhe nuk ka pasur asnjë të dhënë. Edhe pse reforma u bë që të kishte transparencë dhe drejtësi për qytetarët, në fakt duket se vijon avazi i vjetër.