Një sasi prej qindra mijëra eurosh është gjetur mesditën e kësaj të premteje të fshehura në një autobus që vinte në Portin e Durrësit nga Bari i Italisë. Report Tv ka mësuar se bëhet fjalë për një sasi prej rreth 500 mijë euro të padeklaruara që ishin fshehur në tavanin e autobusit, pranë impiantit të kondicionerit.
Burime bëjnë me dije se është arrestuar pronari, njëkohësisht edhe shoferi i autobusit, Elidon Çela, i cili po merret në pyetje, si edhe janë ndaluar edhe disa persona të tjerë, por nuk dihet konkretisht emri dhe roli i tyre.
Dyshohet se Çela sjell paratë e mashtrimit me bursa dhe të trafikut të drogës nga Evropa në Tiranë, përmes linjës së tij të transportit.
Ky operacion i organizuar nga Policia Kufitare dhe Drejtoria e Doganave, ka ardhur si rezultat i një hetimi njëmujor. Autobusi ishte me pasagjerë, ndërsa Report Tv ka siguruar edhe foton e autobusit me targa AA 633 FZ, ku ishin fshehur paratë, gjithashtu edhe të parave të sekuestruara. Këto të fundit ishin në prerje të ndryshme, 10, 20, 50 dhe 100 euro të ndara në 6 qese plastmasi, marketi. Autobusi u fut në skaner, me anë të së cilit u bë e mundur zbulimi i sasisë së eurove të fshehur.
Kush është Elidon Çela?
Elidon Çela është pronar i agjensisë së transportit ndërkombëtar të pasagjerëve “Buon Aventura” me seli në Lushnje dhe Padova.
Ai nuk është një emër i panjohur për policinë.
Kjo sepse edhe më herët është kapur duke transportuar para të padeklaruara, por në sasi më të vogla si edhe është kapur disa herë duke sjellë në Shqipëri mallra të vjedhura.