Uefa Conference League do zhvillojë të mërkurën e 29 majit në orën 21:00 finalen e sezonit në Athinë, mes klubeve të Fiorentinas dhe Olympiacosit vendas.
Janë rreth 6 mijë policë grekë të mobilizuar për finalen e cila do të zhvillohet në stadiumin “Shën Sofia”, shtëpia e AEK-ut të Athinës. Zona rreth stadiumit, në lagjen veriore të ‘Filadelfia e Re’, tashmë është nën kontrollin e rreptë të forcave të sigurisë.
Disa rrugë janë mbyllur, disa të tjera do të mbyllen nesër. Ajo që shqetëson policinë greke nuk janë vetëm rreth 10 mijë tifozët e Fiorentinës që tashmë kanë nisur të mbërrijnë në Athinë, por edhe marrëdhëniet e këqija mes tifozëve të skuadrave athinase.
Në Greqi çështja e dhunës lidhur me sportin është mjaft e ndërlikuar, aq sa edhe udhëtimi i tifozëve në transfertë është ndaluar prej dhjetë vjetësh.
Ekziston frika për përplasje dhe prita në zonën përreth stadiumit, ku për më tepër, mund të depërtojnë edhe ultrasit e Panathinaikosit, një tjetër skuadër athinase. Dje, ekipi i basketbollit i Panathinaikosit u prit me festë nga rreth 100 mijë tifozë vendës pas triumfit në “Final Four” të Euroligës së Basketbollit, ku kishte avancuar gjithashtu Olympiacosi (e mbylli në vendin e tretë).
Dy tifozëritë athinase janë përfshirë në përplasje të ashpra, me të plagosur, në Gjermani. Një kombinim faktorësh, me pak fjalë, që do të thoshte se masat e sigurisë u ngritën në maksimum.