Nga Pëllumb Kulla*
Atdheu im është i vetmi vend në botë, ku udhëheqësin e duan më shumë se udhën!
Atdheu im është i vetmi vend, ku njerëzit u këndojnë këngë dhe himne dashurie udhëheqësve që në të gjallë të tyre. Dhe udhëheqësit shkojnë mes rapsodëve me buzë në gaz, por ama të veshur me antiplumb!
Atdheu im, është vendi ku kryetarët e partive zotohen solemnisht që në rast humbjesh të zgjedhjeve të japin dorëheqjen dhe, – si me humbje, si pa humbje! – qëndrojnë në majë të partive qysh kur kanë lindur ato.
Atdheu im është vendi ku vazhdojnë kërkimet për një medikament që t’i injektohet, jugë e veri, tërë popullit, që të harrojnë, se çfarë kanë thënë kryepolitikanët për njëri-tjetrin!
Atdheu im, është ai vend ku gjenden të gjitha barnat dhe medikamentet e botës. Ato nuk i gjen dot vetëm në spitalet shtetërorë,… ku shërbimi shëndetësor i shtetit dëshmon përditë se sa i mrekullueshëm është shërbimi tek privatët!… Dhe ku ministrat e shëndetësisë u kthejnë kurrizin që të dy këtyre shërbimeve e venë të kurohen jashtë shtetit!
I vetmi vend në botë, ku të zaptosh një truall dhe të ngresh një ndërtesë pa lejë, në vend që të të dënojnë të paisin me tapi!
Është vendi, ku prindërit u urojnë fëmijëve, jo që të bëhen shkencëtarë, por doganierë!
Është vendi, ku historia përdoret për nevoja politike dhe në çdo tetë vjet shkollat marrin tekste të rinj të historisë, në të cilët nazistët qërrohen nga Shqipëria tetë vite më 28 dhe tetë vite të tjerë më 29 nëntor!
Në vendin tim psherëtimat kanë domethënie të thellë: shqiptarët do të qenë më të lumtur t’u kishte mbetur komunizmi, sesa i mbetën komunistët!
Atdheu im është vendi, ku shkollat më të rëndësishme janë Instituti i Fiskulturës dhe Fakultetit i Mjekësisë,ngaqë studentët nuk shkojnë atje për t’u bërë trainerë, pediatër apo kardiologë, por ministra të jashtëm, kryeministra dhe presidentë. Në vitet që vijnë, pritet që fatet e vendit të jenë në duart e boksierëve!
Është vendi, ku numri i turistëve vizitorë, është propaganda më banale dhe ky numër fryhet e fryhet edhe me të huajt, pilotë apo shoferë autobuzash, që gdhihen njëzë natë në Shqipëri…. Të kesh katër valixhe matanë trarit të kufirit dhe të shkosh t’i sjellësh një e nga një, të numërojnë për katër turistë!
Atdheu im ka krenari të lartë, anipse është i fundit në kontinent, që përmbysi komunizmin; i fundit që antarësohet në NATO dhe në Bashkimin Europian!… Qeveria tek ne prêt urime të përzemërta që në këtë vend, menjëherë pas Dymijedymbëdhjetës, edhe tek ne erdhi Dymijetrembëdhjeta!
Atdheu im është i vetmi vend në botë, ku kriminelët i kërkon populli dhe i fsheh policia!
Dhe së fundi, lemëni të huazoj dhe përshtas një shprehje të një poeti fqinj: atdheu im është ai, ku tërë njerëzit duan të jetojnë në një vend tjetër, por duan që ai vendi tjetër të jetë këtu, në Shqipëri!
*Lexuar në foltoren e Kuvendit të FRD-së më 30 prill 2013