Italianët humbën 2-3 përballë “nëndetëses” spanjolle, Gjimshiti me shokë e mbyllin në vend të tretë e do të luajnë në Europa League
Liga e Kampioneve mbylli përfundimisht mbrëmë fazën e grupeve, me një ndeshje të vetme që ishte shtyrë nga e mërkura si pasojë e dëborës që pushtoi fushën e stadiumit në Bergamo.
Bëhej fjalë për ndeshjen Atalanta-Vilareal në kuadër të grupit F, ndeshje që mbajti “peng” edhe verdiktin e UEFA-s për të hedhur dje shortin, short që do të hidhet në Nion të Zvcrës për rrugëtimin e mëtejshëm të 16 skuadrave të kualifikuara më tej në aktivitetin më të rëndësishëm europian të futbollit për klube.
Ndërkohë, Atalanta është eliminuar nga Champions. Disa zhgënjime radhazi në grupin F sollën këtë situatë të sikletshme për skuadrën italiane, që mbrëmë, në kushtet e presionit, vuajti shumë dhe humbi 2-3 përballë Vilarealit spanjoll. Ky i fundit kaloi si vend i dytë në grup, me 10 pikë, pasi vendin e parë e kishte siguruar Mançester Junajtid.
Sa i takon ndeshjes së mbrëmshme, Atalanta e nisi shumë keq përballë “nëndetëses së verdhë” spanjolle, duke pësuar dy gola që në pjesën e parë, gola që e vranë psikologjikisht ekipin italian. Danjuma shënoi në minutën e 3-të, duke sjellë kaos në mbrojtjen italiane, e cila nuk dha siguri në këtë fraksion loje. Në minutën e 42-të, ishte Kapue që shënoi golin e dytë për skuadrën spanjolle, duke bërë që pjesa e parë të mbyllet 2-0 për Vilarealin.
Në pjesën e dytë pritej një reflektim i fortë i Atalantës, por ai erdhi shumë vonë, vetëm në minutat e fundit të takimit. Në fakt, ishte Vilareali që i dha goditjen finale kundërshtarit në minutën e 51-të me anë të Danjumës, që trefishoi rezultatin. Atalanta reagoi në 20 minutat e fundit, ku Malinovski dhe Zapata shënuan në minutën e 70-të dhe të 80-të respektivisht.
Ky dygolësh emocionoi të pranishmit dhe Atalanta u përpoq ta përmbyste ndeshjen në favor të saj. U bënë përpjekje të forta nga italianët, ku një kontribut dha edhe mbrojtësi Berat Gjimshiti i futur në pjesën e dytë, por pa rezultat. Në përfundim të takimit Vilareali fitoi 3-2 dhe kualifikohet më tej si vend i dytë i grupit F. Atalanta si vend i tretë bie në Ligën e Europës.