Ish-kreu i Grupit të PD-së, Astrit Patozi mori pjesë vetëm në homazhet që u zhvilluan në Memorialin ku u vra Azem Hajdari. Pas homazheve ai është shprehur se prania e tij nuk ka snjë lidhje me Lulzim Bashën, por respekt ndaj historisë së PD. Ai nuk ka shmangur kritikat ndaj kreut të Partisë Demokratike, sipas të cilit ka rrokullisur në ngrehinë një strukturë të ngritur në vështirësi.
Sot është një ditë për të kujtuar dhe për të reflektuar të gjithë si shqiptarë, por mbi të gjitha si demokratë. Unë mendoj se Partia Demokratike, 20 vite pas vrasjes së Azem Hajdarit është në periudhën e vetë më të vështirë.
Ne sot jemi më keq se përpara 20 vjetësh, jo thjeshtë në numra, por mbi të gjitha në frymë dhe në atë që po bën opozita dhe atë që përfaqëson sot Partia Demokratike e Lulzim Bashës. Sepse në atë kohë Partia Demokratike ishte në vështirësi e agresuar nga kundërshtari politik, i cili kishte realizuar një gjysmë revolucioni për të ardhur në pushtet, kurse sot Partia Demokratike është në këtë gjendje për shkak të lidershipit të gabuar dhe për shkak të gafave të rënda dhe keqmenaxhimit të Lulzim Bashës, por edhe lidershipit të tij”, deklaroi Patozi.