Kërkimet e policisë dhe familjarëve në fshatin Vrinë të Sarandës për gjetjen e trupave të dy të zhdukurve Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari janë mbyllur dje pa sukses. Zona ku janë përqendruar kërkimet përveçse është territor i gjerë ka edhe dalje në det.
Ndërkohë burimet bëjnë me dije se policia prej ditës së djeshme është vënë në kërkim të një personi, fotografinë e së cilit e ka te fiksuar nga kamera sigurie. Ky person ende nuk është gjetur për t’u shoqëruar, madje veç tij po kërkohen edhe persona te tjerë që mendohet se ndodhen jashtë shtetit.
Në lidhje me automjetin e rrëmbimit, policia dyshon se është përdorur edhe në ngjarjen e 5 dhjetorit 2022 ku u vendos eksploziv në banesën e L. L në lagjen nr.1 të Sarandës, por dy ngjarjet nuk kanë lidhje me njëra tjetrën edhe pse mund të jetë autori i njëjtë.
Në fakt në dhjetor policia e ndoqi me kamera sigurie mjetin e dyshuar “Mercedes-Benz” E-Class të vendosjes së eksplozivit dhe zbuloi se ai u largua drejt rrugës së bregut, duke u futu në aksin nacional Sarandë-Himarë. Pikërisht në këtë aks, pranë fshatit Nivicë, u zbulua i fshehur ditët e fundit mjeti, konkretisht brenda një magazine.
Mesa duket autori që e përdorte këtë mjet, pasi kryente punë, e fshihte pikërisht në këtë zonë e specifikisht në magazinën ku u gjet. Mes 8 automjeteve që policia ka marrë për verifikim, mësohet se është edhe një fuoristradë e blinduar por hetimet janë përqendruar në ekzaminimet e “Mercedes-Benz” E-Class që tashmë po hetohet si e përfshirë në dy ngjarje. Lidhur me shkaqet e ngjarjes, mendohet se Fatmir Sulovari nuk ka qenë drejtpërdrejtë objektiv i autorëve.
Ai mësohet se ka qenë në Fier fillimisht dhe është nisur më pas për Sarandë. Ka qenë Thodhori ai që ka shkuar me makinë dhe e ka marrë në Kardhiq dhe të dy më pas kanë udhëtuar drejt qytetit bregdetar. Për shkak të shoqërisë me Thodhorin dhe ndoshta për faktin që mund të ketë qenë dëshmitar në biseda mes “Koçoles” dhe autorëve, dyshohet se ka rënë viktimë edhe 46-vjeçari fierak me dy mbiemra, Sulovari e Krasniqi.