Mario Mitaj është një nga surprizat e mëdha që Kombëtarja shqiptare prodhoi në këto kualifikuese. Emri i mbrojtësit në listën e grumbullimeve në ndeshjen e parë me Moldavinë befasoi të gjithë, por rezultoi që braziliani bëri zgjedhjen e duhur dhe ky zbulim i takon plotësisht atij.
Që prej asaj ndeshje Mitaj po shkëlqen si me kuqezinjtë, por edhe me klubin e tij Lokomotiv Moskow në kampionatin e Rusisë. Shqiptari ka fituar vendin e titullarit, por ndryshe nga Kombëtarja, në Rusi luan si mesfushor qëndror përpara mbrojtjes.
Edhe pse jashtë pozitës djaloshi 20-vjeçar po zhvillon paraqitje fantastike dhe këtë e faktojnë statistikat. Mitaj është i pari në saktësinë e pasimeve me 91.72% saktësi, i pari në duelet ofensive me 10,9 për ndeshje si dhe i 3-ti në rikuperimin e topave me 11.09 për ndeshje mesatarisht.
Statistika të frikshme këto që jo vetëm shpërblejnë Lokomotivën që pagoi 3 milionë euro për shërbimet e shqiptarit te AEK, por edhe e bëjnë atë një emër të nxehtë në merkato.