Kampionati u mbyll dhe u dhanë edhe verdiktet. Skënderbeu fitoi titullin e tetë në historinë e tij, ndërsa Lushnja e Vllaznia ranë nga kategoria. Natyrisht, kur përmendet Vllaznia situata ndryshon dhe sot në Shkodër nuk ka familje që nuk është e trishtuar për këtë copëtim të skuadrës dhe humbje të krenarisë së saj, një skuadër që i ka dhënë futbollit shqiptar emrat e mëdhenj e të shkëlqyer të Boricit, Bizit, Zhegës, Ragamit etj.
“Pamfleti” kishte paralajmëruar një ditë më parë rënien e Vllaznisë, pasi, sado që u përpoqën grupet e interesit në federatë, bashkinë Shkodër e deri në Partinë Demokratike, në momentin e fundit presidenti i Partizanit Gaz Demi luajti lojën e tij, dyshohet duke i “lënë” Kamzës fitoren. Në fakt, Demi nuk ishte kundër Vllaznisë, por duket se e bëri këtë kundër federatës dhe Dukës që nuk kanë qenë miqësorë me Partizanin.
Në Korcë Skënderbeu i hapi portën Vllaznisë dhe i tha: “urdhëro, shëno sa të duash ti”. Klecka luhej në kryeqytet, pasi në Korcë pazari ishte i prerë dhe e kishte mësuar i gjithë opinioni publik se fiton Vllaznia. Pra në kryeqytet duhej që të fitonte Partizani që të mbijetonte Vllaznia. Madje me rezultatin e Korcës shkodranët kishin në xhep dhe barazimin, por ndodhi ajo që nuk pritej (për shkodranët por jo për Dukën) që Partizani e vethumbi ndeshjen.
Rezi shënon një gol për Kamzën që i jep fitoren, ndërsa tifozeria e Partizanit e irrituar nga Estrada braktis stadiumin duke thirrur me të madhe që ata duan futboll të ndershëm ku luhet për interesin e Partizanit dhe jo të skuadrave të tjera. Më pazar se kaq nuk ka ku të shkojë dhe ky përbën një turp për të gjithë ne.
Armand Duka, kreu i futbollit në vend, ishte i pranishëm në Korcë kur ndodhi estrada e shëmtuar dhe kur zbriti në fushë t’i jepte trofeun e kampionatit Skënderbeut, tha se verdiktet e sezonit u përcaktuan në fushë nëpërmjet lojës, gjë që nuk është aspak e vërtetë. Një mashtrim i madh, pasi ky kampionat, të paktën në javët e fundit, ishte kryekëput pazar.