Artan Hoxha në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga tregoi se si janë zhvilluar ngjarjet më 21 Janar sipas këndvështrimit të tij. Hoxha thotë se sipas të gjitha gjasave, Ndrea Prendi shefi i Gardës nuk është qëlluar me gurë nga protestuesit, por u qëllua me grusht kur u thirr brenda në Kryeministri.
“E mbani mend pamjen e Ndrea Prendit pas 21 janarit me hematomën në sy? Berisha tha që e goditën me gurë. Unë e kam filmuar në momentin para vrasjeve që ai është me helmetë, me skafandër që nuk dëmtohet nga gurët dhe ka një pistoletë në dorë, ajo që ka marrë jetën e Faik Myrtajt dhe kjo është e provuar. Ndrea Prendi ka ndërruar dhe veshjet kur ka dalë prej aty.
Ajo hematomë, po ta shihni dhe ta krahasoni me foton e Berishës që e qëlluan me grusht, të dyja janë shkaktuar në krahun e majtë. Kanë një ngjashmëri, një përputhje identike. Sigurisht që Ndrea Prendi nuk u qëllua me gurë. Nuk mund të ekspertojmë grushtin që ia nxiu syrin Ndrea Prendit.
Basha ka qenë aty. Hematoma ka ndodhur para se të ndodhin vrasjet, se ai vetë nuk e ka treguar. Ndaj ky është një hetim që duhet ta bëjë SPAK dhe vetëm SPAK. Vetëm ai ka mbrojtjen ligjore për t’i thirrur të gjithë kodoshët e politikës. Vrasjet janë bërë me urdhër. Urdhrin e ka dhënë Andrea Prendi”.