Gazetari Artan Hoxha tregon detaje të tjera rreth grabitjes spektakolare në Rinas. Hoxha citoi raportin duke thënë se në momentin e grabitjes brenda dhe rreth pistës kishte disa forca policore.
Në emisionin “Java” gazetari tha se gjatë momentit të grabitjes në pistë ishte edhe një furgon policie, që po priste ekstradimin e dy personave në vendin tonë, megjithatë efektivët e këtij furgoni nuk kishin fushëpamje të grabitjes.
Por gazetari Hoxha rrëfeu edhe një detaj tjetër shokues, duke thënë se punonjës të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë e panë grabitjen në momentin që po ndodhte, dhe kërkuan të ndërhynin në pistë. Sipas Hoxhës, punonjës të ICTS-së, kompania që ka për detyrë të sigurojë aeroportin, nuk i la të ndërhynin.
“Punonjës të FNSH-së kanë parë nga jashtë rrethimit skenën e grabitjes dhe kanë tentuar të ndërhyjnë por nuk janë lejuar të futen brenda pistës nga ICTS-ja. Ndërkohë që brenda në pistë ishte edhe një furgon tjetër me policë, të cilët prisnin dy persona që po ekstradoheshin. Megjithatë këta nuk kishin fushë pamje të grabitjes”, deklaroi Hoxha.